Ndërlidhjet

Arabia Saudite shkëput marrëdhëniet me Iranin

  • RFE /RL

Teheran: Gratë bartin fotografinë e klerikut shiit, Nimr al-Nimr.

Teheran: Gratë bartin fotografinë e klerikut shiit, Nimr al-Nimr.

Arabia Saudite ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me rivalin e saj rajonal, Iranin, pas sulmeve në ambasadën dhe konsullatën saudite në Teheren. Sulmet kanë pasuar ekzekutimin e një kleriku të shquar shiit nga Arabia Saudite, më 2 janar.

Ministri i Jashtëm saudit, Adel al-Jubeir, ka njoftuar për shkëputjen e marrëdhënieve, duke i dhënë personelit diplomatik iranian 48 orë kohë për të lënë Riadin.

I gjithë personeli diplomatik saudit në Iran është ftuar po ashtu të kthehet në shtëpi, pas sulmit me zjarr në kompleksin diplomatik në Teheran, mëngjesin e 3 janarit.

Këto veprime vijnë në kohën e një retorike gjithnjë e më të ashpër midis Riadit dhe Teheranit. Udhëheqësi suprem i Iranit ka paralajmëruar për “hakmarrje hyjnore” për vrasjen e sheikut Nimr al-Nimr.

Al-Jubeir ka thënë për gazetarët në Riad se regjimi i Iranit ka “histori të gjatë të shkeljeve të misioneve të huaja diplomatike”, të cilat datojnë nga pushtimi i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në vitin 1979.

Ai ka thënë se incidentet e tilla përbëjnë “shkelje flagrante të të gjjitha marrëveshjeve ndërkombëtare “ dhe se “politika armiqësore e Iranit” ka për qëllim destabilizimin e sigurisë rajonale.

Al-Jubeir po ashtu ka akuzuar Teheranin për kontrabandë me armë dhe eksplozivë, si dhe për shpëndarjen e qelizave terroriste në Arabinë Saudite dhe vende të tjera të rajonit.

Ai është zotuar se Arabia Saudite nuk do të lejojë Iranin të minojë sigurinë e saj.

Emiratet e Bashkuara Arabe, aleate të Arabisë Saudite, po ashtu kanë reduktuar përfaqësimin e tyre diplomatik në Iran, duke tërhequr të dërguarin e tyre nga Teherani dhe duke reduktuar numrin e diplomatëve iranianë brenda Emirateve.

Edhe Bahrejni dhe Sudani kanë njoftuar se do të shkurtojnë lidhjet diplomatike me Iranin.

Arabia Saudite, e cila sundohet nga një dinasti mbretërore sunite, është e angazhuar në një luftë për pushtet me Iranin, i cili udhëhiqet nga shiitët, në Lindjen e Mesme.

Të dyja palët kanë përdorur forca ndërmjetëse për të ruajtur ndikimin në vendet si Jemeni, Bahrejni, Iraku apo Siria.

Nimr ka qenë figura qendrore e protestave të margjinalizuara shiite në Arabinë Saudite deri në arrestimin e tij më 2012. Nimr është dënuar nën akuzat për terrorizëm. Ekzekutimi i tij ka shkaktuar zemërim te të gjithë shiitët në rajon.

Përveç Nimrit, autoritetet saudite kanë ekzekutuar edhe 46 të dënuar të tjerë, përfshirë tre disidentë shiitë dhe disa militantë të Al Kaidës.

Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje liderëve në rajon që të ndërmarrin “hapa pozitivë” për të reduktuar tensionet.

“Ne besojmë se angazhimi diplomatik dhe bisedimet direkte mbeten thelbësore për të tejkaluar dallimet. Do të vazhdojmë t’iu bëjmë thirrje liderëve në gjithë rajonin që të ndërmarrin hapa pozitivë për të qetësuar tensionet”, ka thënë një zyrtar i administratës së presidentit të Shteteve të Bashkuara, Barack Obama.

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, ka thënë se Nimr “as nuk i ka ftuar njerëzit të kapin armët, as nuk ka bërë komplote të fshehta; e vetmja gjë që ka bërë ai, ka qenë kritika publike”.

Presidenti i Iranit, Hassan Rohani, ka dënuar ekzekutimin e Nimrit, por po ashtu ka kritikuar sulmet në ambasadën dhe konsullatën saudite, duke thënë se ato janë “krejtësisht të pajustifikueshme”.

Në Irak, kryeministri Haider al-Abadi ka paralajmëruar se ekzekutimi i Nimrit do të ketë pasoja për sigurinë rajonale. (v.tela)

XS
SM
MD
LG