Ndërlidhjet

Sfidat dhe pritjet e kompanive prodhuese kosovare


Arkiv - Kompani e prodhimit të patates
Arkiv - Kompani e prodhimit të patates

Gjatë vitit që lamë pas, disa nga kompanitë private që e zhvillojnë veprimtarinë e tyre në Kosovëkanë shënuar progres, por disa edhe regres. Këtë vlerësim e japin pronarët e disa kompanive private në vend.

Ata thonë se me gjithë ndryshimet simbolike në aspektin ekonomik, sektori privat, konkretisht kompanitë prodhuese, ballafaqohen më probleme të shumta.

Sipas tyre, mungesa e energjisë elektrike, kamatat e larta për kredi, politikat fiskale jo shumë të favorshme, kanë qenë probleme që i kanë përcjellë bizneset në Kosovë edhe gjatë vitit të kaluar.

Megjithatë, ata përmendin ndryshimet në pakon fiskale dhe nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim Asociim me Bashkimin Evropian.

Kompania “Frutex” nga Suhareka është një nga kompanitë më të mëdha për prodhimin e pijeve joalkoolike dhe energjike në Kosovë.

Pronari i kësaj kompanie, Shaqir Palushi tregon se gjatë vitit të kaluar kompania ka treguar suksese në zgjerimin e aktivitetit, pasi, përveç rritjes me pjesëmarrje në tregun vendor, ka arritur që produktet e veta t'i eksportojë edhe në disa shtete të tjera të botës. Por e gjithë kjo, sipas tij, ka ndodhur falë angazhimit vetjak.

Kurse sa i përket angazhimeve të autoriteteve kompetente, Palushi konsideron se ato janë të pakta.

Ai përmend ndryshimet pozitive që kanë filluar nga muaji shtator, e që kanë të bëjnë me ndryshimin e pakos fiskale, por vlerëson se kjo është larg kërkesave dhe nevojave të komunitetit të biznesit.

“Ndonëse qeveria ka bërë disa përmirësime në politikat fiskale, ato janë larg nga pritjet dhe kërkesat e prodhuesve kosovarë. Aq më tepër kur jemi afër hyrjes në fuqi të Marrëveshjes për Stabilizim Associimin”, thotë Palushi.

Edhe Bedri Kosumi, pronar i kompanisë “Pestova”, e cila merret me përpunimin dhe prodhimin e patates, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se ka lëvizje pozitive, por që prodhuesit kosovarë janë larg kushteve që kanë kompanitë në rajon.

“Masat që janë marrë nga qeveria rreth pakos fiskale në muajin shtator po tregohen pozitive. Kemi pak shtyrje të pagesës se Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Ajo po na lehtëson te paratë e gatshme. Mirëpo,kjo lëvizje pozitive nga prodhuesit nuk është e mjaftueshme"

"Edhe më tutje kompanitë prodhuese nuk janë të barabarta më bizneset në rajon. Ne nuk po kërkojmë asgjë tjetër, veç të jemi të barabartë më ta. Premtime për këtë ka, por pritet të shohim se çfarë po ndodhë”, thotë Kosumi.

Sa i përket përfitimeve që sjell Marrëveshja për Stabilizim Asociim, pas hyrjes në fuqi të saj, Shaqir Palushi i vlerëson si pozitive, por jo edhe fitimprurëse në fillim. Sipas tij, prodhuesit në Kosovë nuk kanë kushte që të konkurrojnë me bizneset dhe kompanitë prodhuese të vendeve të Bashkimit Evropian.

“Marrëveshja për Stabilizim dhe Asociim, që pritet të hyjë në fuqi, hapë një perspektivë. Gjithsesi do të jetë edhe sfidë për prodhuesit, sepse jo shumë prodhues në Kosovë janë të përgatitur për liberalizimin e tregut, apo kanë mundësi të lëvizin lirshëm në shtetet e Bashkimit Evropian".

"Në anën tjetër konsideroj që qeveria do të duhej t'i përshpejtonte hapat për krijimin e kushteve, siç është lirimi nga pagesa e taksës për lëndë të parë, sepse dihet mirë se një pjesë e madhe vazhdon të trajtohet në doganë”, thotë Palushi.

Ndërkaq, Bedri Kosumi thekson se me hyrjen në fuqi të MSA-së, kompania e tij do të përfitojë, pasi nuk do të paguajë taksë për lëndën e parë.

Me zbatimin e kësaj marrëveshjeje dhe me mungesën e liberalizimit të vizave, ai thotë se bizneset nuk do të arrijnë që të lëvizin lirshëm, në mënyrë që të gjejnë partnerë për bashkëpunim në vendet e Bashkimit Evropian.

“Për lëvizjen e lirë kemi shumë problem. Unë personalisht kam qëndruar 10 ditë para ambasadës për një vizë një vjeçare, e që afati i saj më skadon në mars të këtij viti".

"Liberalizimi i vizave duhet të realizohet sa më shpejtë, sepse MSA-ja pa liberalizim është gjysmake. MSA-ja kërkon lëvizje të lirë, me shkuarje- ardhje. Ne atë mundësi nuk e kemi".

"Unë ballafaqohem me punëtorë të mijë, sepse unë kam vizë për një periudhë një vjeçare, ndërsa ata e marrin vizën për pesë ditë, kurse për të duhet të pritet disa ditë. Kjo nuk ka kuptim”, thotë Kosumi.

Ndryshe, Marrëveshja për Stabilizim Asociim, e cila është nënshkruar në muajin tetor të vitit të kaluar, u hapë dyert bizneseve të vendit për pjesëmarrje aktive në tregun prej 500 milionë banorësh, dhe njëkohësisht rritë marrëdhëniet tregtare ndërmjet Kosovës dhe vendeve të Bashkimit Evropian.

Ndërkaq, nga ndryshimet e bëra nga qeveria në pakon fiskale, është arritur që ulet tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH) nga 16 në 8 për qind për disa artikuj elementar, kurse për disa të tjerë është rritur në 18 për qind. (N.Ahmeti)

XS
SM
MD
LG