Ndërlidhjet

logo-print

Beteja për pushtet në Lindjen e Mesme

  • RFE /RL

Mbështetës të klerikut të ekzekutuar shiit

Mbështetës të klerikut të ekzekutuar shiit

Ekzekutimi i klerikut të shquar shiit, Nimr al-Nimr, nga Arabia Saudite ka qenë një veprim i motivuar më shumë nga politika sesa konsideratat juridike, vlerëson gazeta britanike Guardian.

Në Iran, ku ndodhet shtylla e Islamit shiit, protestuesit kanë djegur ambasadën saudite, ndërsa sauditët janë përgjigjur me ashpërsimin e marrëdhënieve diplomatike.

Ngjashëm kanë bërë edhe aleatët e Riadit, si Bahrejni dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Gazeta Guardian parasheh që përkeqësimi i sektarizmit të ketë efekte edhe në Siri dhe Irak.

“Në Siri, ku Arabia Saudite mbështet sunitët, ndërsa Irani përkrah presidentin Assad, mund të presim forcim të pozicioneve, në kohën kur përpjekjet ndërkombëtare për paqe synojnë t’i zbusin ato”, shkruan Guardian.

Sipas gazetës, është inetresante se si vetëm një ditë para ekzekutimit të Nimrit, Arabia Saudite ka rihapur ambasadën e saj në Bagdad, pas një pause prej 25 vjetësh.

Zyrtarisht, kjo është cilësuar si fillim i një epoke të re të bashkëpunimit, por disa e shohin atë si përpjekje për të luftuar ndikimin e Iranit në Irak dhe për të krijuar një zëdhënës jozyrtar për sunitët irakianë në Bagdad.

Megjithatë , gazeta Wall Street Journal vlerëson se përshkallëzimi i krizës midis Arabisë Saudite dhe Iranit është më shumë për politikat e tyre të brendshme, sesa për luftën e tyre rajonale për dominim në Lindjen e Mesme.

Sfida më e rrezikshme e regjimit saudit ka ardhur gjithmonë nga elementet konservatore të pakicës së saj sunite – të njerëzve që janë armiqësor ndaj Iranit shiit dhe ndaj aktivistëve sauditë, si kleriku Nimr, i cili ka bërë fushatë për të drejta të barabarta të pakicës shiite, shkruan Wall Street Journal.

Gjithnjë sipas gazetës, vendimi i Riadit për të ndërperë marrëdhëniet diplomatike me Iranin ka rritur mbështetjen e konservatorëve sunitë për sunduesit sauditë, njëjtë sikur edhe ndërhyrja ushtarake kundër rebelëve Huthi në Jemen, të cilët mbështeten nga Irani.

Në Iran, ekzekutimi i Nimrit ka ardhur po ashtu në një kohë delikate: Presidenti Hassan Rohani dhe aleatët e tij relativisht të moderuar përballen me forcat konservatore të linjës së ashpër, përpara zgjedhjeve parlamentare në shkurt, shkruan gazeta.

Këta konservatorë, vijon artikulli, duan të sigurojnë se marrëveshja bërthamore me Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë e tjera botërore nuk çon në hapje më të gjerë të Iranit ndaj bashkësisë ndërkombëtare.

Gazeta Washington Post shkon edhe më larg, duke thënë se kriza aktuale midis Riadit dhe Teheranit mund të komplikojë tutje përpjekjet për zgjidhjen e konfliktit në Siri dhe të forcojë grupin militant Shteti Islamik.

Administrata Obama, e zënë ngushtë midis kërkimit të marrëdhënieve më të mira me Iranin dhe aleancës së saj të gjatë me Arabinë Saudite, ka thënë se shpreson se Teherani dhe Riadi do të ndalin retorikën armiqësore që ka shkaktuar krizën më të keqe midis rivalëve rajonalë në disa dekada.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG