Ndërlidhjet

logo-print

NATO: Pretendimet e Rusisë totalisht të pabaza


NATO-ja në mënyrë “kategorike” i ka hedhur poshtë pretendimet e Moskës, se aksionet dhe zgjerimi i aleancës veriatlantike, paraqesin kërcënim për Rusinë.

Zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu, tha sot se aleanca ende po e studion doktrinën e re të sigurisë së Rusisë, që është miratuar javën e kaluar, por ka theksuar se “ne kategorikisht i hedhim poshtë pretendimet totalisht të pabaza se NATO-ja dhe politikat e saj paraqesin kërcënim të sigurisë” për Moskën.

Në dokumentin e ri të Rusisë, që të enjten e kaluar e ka nënshkruar presidenti , Vladimir Putin, NATO-ja akuzohet për shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe për lëvizjen e infrastrukturës së saj ushtarake, më afër kufijve të Rusisë, raporton AP nga Brukseli.

Muajin e kaluar, NATO-ja e ka ftuar Malin e Zi për fillimin e bisedimeve për pranim. Me Malin e Zi, NATO-ja do t’i ketë 29 shtete anëtare.

Zëdhënësja Lungescu tha se “zgjerimi i NATO-s nuk është i drejtuar kundër askujt” dhe se secili vend sovran “ka të drejtë të zgjedhë vetë nëse do t’i bashkohet ndonjë marrëveshjeje apo aleance”.

XS
SM
MD
LG