Ndërlidhjet

Nga muaji mars, Kosova me kodin telefonik 383


Edita Tahiri - Ministre për Dialog në Qeverinë e Kosovës
Edita Tahiri - Ministre për Dialog në Qeverinë e Kosovës

Kodi telefonik i Kosovës do të jetë 383, ka thënë ministrja Edita Tahiri, duke nënvizuar se me marrjen e këtij kodi, Kosovës i njihet sovraniteti ndërkombëtar në fushën e telekomunikacionit.

Marrëveshja fillestare për telekomin, në dialogun që po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ishte arritur qysh më 8 shtator të vitit 2013, por ajo ka qenë objekt diskutimesh deri në finalizimin e plotë edhe në takimet e radhës që pasuan në vitet 2014 e 2015.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri ka thënë se konfirmimin për aplikimin e Austrisë e ka marrë tashmë si nga Bashkimi Evropian ashtu edhe nga ambasada austriake në Prishtinë.

Sipas Tahirit, përpjekjet për kodin telefonik kanë datuar që nga mbarimi i luftës më 1999. Sipas saj, ky synim po realizohet pas gjashtëmbëdhjetë vitesh, duke iu falënderuar dialogut të Brukselit, angazhimit të Bashkimit Evropian, SHBA-ve dhe Austrisë.

"Arsyeja pse Austria është dashur të aplikojë ishte për faktin se Kosova nuk është anëtare e OKB-së, kurse me procedurat e ITU-së, vetëm vendet anëtare të OKB-së mund të aplikojnë"

"Ky aplikim tani trajtohet nga ana e ITU-së dhe në bazë të marrëveshjes së Brukselit për telekomin, në pjesën e parë të muajit mars, ITU do t'ia ndajë kodin telefonik 383 Kosovës. Praktikisht këtu përfundon ana juridike e marrjes së kodit telefonik. Kosova do të jetë vetë administruese e këtij kodi si shtet", ka thënë Tahiri.

Ministrja Tahiri ka konfirmuar po ashtu se Kosova nuk do të ketë obligime financiare ndaj Austrisë për këtë shërbim që po i kryen, ngase në dialogun e Brukselit ishte paraparë që një vend i Bashkimit Evropian të aplikonte për Kosovën. Austria kishte dalë si vullnetare për ta ndihmuar Kosovën në këtë fushë.

Kodi telefonik ndërkombëtar i Kosovës, sipas saj, ka rëndësi të shumëfishtë, si në planin politik, ekonomik, e po ashtu edhe në atë të sigurisë. Ky kod gjithashtu do të mundësojë shërbime më cilësore dhe me kosto më të favorshme për qytetarët.

"Marrja e këtij kodi telefonik për Kosovën ka rëndësi edhe në planin politiko-diplomatik, sepse Kosova konsolidon sovranitetin e vet në fushën e telekomit. Pastaj, ajo krijon identitetin shtetëror në këtë fushë, sepse do të ketë një kod telefonik, ndërkohë që tri kodet që kanë qenë në përdorim që nga pas lufta (+377, + 386, dhe +381) do të largohen nga përdorimi", ka thënë Tahiri.

"Nga ana ekonomike kjo i ka përparësitë e saj, sepse Kosova nuk do të ketë më nevojë që të paguaj kompensime, siç ishte rasti me Vala-n, e cila kompensonte Monakon gjithë këto vite. Pastaj shërbimet do të jenë më cilësore, siguria do të ofrohet nga vetë shteti i Kosovës në fushën e telekomit, si dhe çmimet dhe shërbimet pritet të jenë më të favorshme për qytetarët", ka theksuar Tahiri.

Kodi i ri unik 383 i Kosovës do të përdoret në tërë territorin e vendit dhe nga të gjithë operatorët e telefonisë mobile dhe fikse.

Në një komunikatë të lëshuar nga qeveria e Kosovës thuhet se me zbatimin e këtij kodi do të eliminohen pengesat e krijuara nga mungesa e tij, respektivisht nga përdorimi i tri kodeve të ndryshme. Kjo gjë, sipas qeverisë, e ka bërë të pamundshme zbatimin e disa mekanizmave të rëndësishëm për mbrojtjen e konkurrencës.

Sipas Qeverisë, kostot e përgjithshme të shkaktuara deri më tani nga mungesa e kodit telefonik kanë arritur shifrën në mbi 200 milion euro.

XS
SM
MD
LG