Ndërlidhjet

SHBA: Konfirmohet vrasja e një ushtari amerikan në Afganistan


Pamje e ushtarëve amerikanë në Afganistan
Pamje e ushtarëve amerikanë në Afganistan

Ushtria e Shteteve të Bashkuara thotë se një ushtar i saj është vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur, në pjesën jugore të Afganistanit.

“Një pjesëtar i SHBA-ve ka vdekur nga pasojat e plagëve që i ka marrë gjatë operacionit afër qytetit Marja në provincën Helmand sot”, tha një zëdhënës i forcave amerikane në Afganistan dhe ka shtuar se “dy pjesëtarë të tjerë janë plagosur”.

Zyrtarët u kanë thënë sot mediave amerikane se forcat i ishin nënshtruar zjarrit gjatë një misioni të forcave speciale.

Një zyrtar i mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara tha se disa ushtarë afganë, po ashtu, janë plagosur.

Zyrtarët thanë se një helikopter ushtarak që kishte ateruar në vendin e ngjarjes, për të kryer evakuim mjekësor, nuk ka mundur të ngritet për shkak të një eksplodimi në një terren të afërt.

Në Helmand, që për një kohë të gjatë ishte bazë e talibanëve, gjatë javëve të fundit ka pasur luftime të ashpra.

Afro 12 mijë ushtarë të jashtëm janë vendosur në Afganistan, në kuadër të misionit mbështetës të NATO-s.

XS
SM
MD
LG