Ndërlidhjet

NATO dhe SHBA mohojnë se po paraqesin kërcënim për Rusinë


Ilustrim

Ilustrim

NATO-ja dhe Shtetet e Bashkuara i kanë hedhur poshtë pretendimet e Moskës, se aksionet dhe zgjerimi i aleancës veriatlantike, paraqesin kërcënim për Rusinë.

Zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu, tha gjatë ditës së djeshme se aleanca ende po e studion doktrinën e re të sigurisë së Rusisë, që është miratuar javën e kaluar, por ka theksuar se “ne kategorikisht i hedhim poshtë pretendimet totalisht të pabaza se NATO-ja dhe politikat e saj paraqesin kërcënim të sigurisë” për Moskën.

Në dokumentin e ri të Rusisë, që të enjten e kaluar e ka nënshkruar presidenti , Vladimir Putin, NATO-ja akuzohet për shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe për lëvizjen e infrastrukturës së saj ushtarake, më afër kufijve të Rusisë, raporton AP nga Brukseli.

Muajin e kaluar, NATO-ja e ka ftuar Malin e Zi për fillimin e bisedimeve për pranim. Me Malin e Zi, NATO-ja do t’i ketë 29 shtete anëtare.

Zëdhënësja Lungescu tha se “zgjerimi i NATO-s nuk është i drejtuar kundër askujt” dhe se secili vend sovran “ka të drejtë të zgjedhë vetë nëse do t’i bashkohet ndonjë marrëveshjeje apo aleance”.

Shtetet e Bashkuara ngjashëm i kanë hedhur poshtë shqetësimet e Kremlinit.

“Ne nuk po kërkojmë konflikt me Rusinë”, ka thënë gjatë një konference në Uashington zëdhënësi i Pentagonit, kapiteni Jeff Davis.

“Ata nuk kanë arsye që të na konsiderojnë si kërcënim”, ka shtuar ai. “Ne i kemi dallimet tona... Por, është tërësisht gabim që Shtetet e Bashkuara të shihen si kërcënim për Rusinë”.

Pavarësisht mohimeve, zyrtarët ushtarakë të Shteteve të Bashkuara e kanë përdorur gjithnjë e më shumë një gjuhë të ngjashme, për ta përshkruar atë se Moska është një kërcënim në rritje për sigurinë perëndimore.

XS
SM
MD
LG