Ndërlidhjet

Pelegrinët serbë vizituan kishën ortodokse në Gjakovë


Pelegrinët serbë kanë vizituar sot edhe Manastirin e Deçanit për të shënuar Krishtlindjet ortodokse.

Pelegrinët serbë kanë vizituar sot edhe Manastirin e Deçanit për të shënuar Krishtlindjet ortodokse.

Një grup prej 50 pelegrinëve serbë, të cilët, siç kanë thënë, janë persona të zhvendosur nga Gjakova në vitin 1999, kanë vizituar sot kishën ortodokse në Gjakovë, për të shënuar Krishtlindjet ortodokse.

Ata janë pritur me protesta nga një grup prej rreth 30 personave, kanë thënë zyrtarë të Policisë së Kosovës.

Kristë Gjokaj, komandant i stacionit policor në Gjakovë, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se autobusi me pelegrinët serbë ka arritur rreth orës 11:30 te kisha ortodokse serbe, e cila gjendet në rrugën “Mbretëresha Teutë” në Gjakovë.

“Ne e kemi siguruar lëvizjen e tyre të lirë. Diku rreth 30 protestues kanë kundërshtuar vizitën e tyre, mirëpo kemi kaluar pa asnjë incident dhe gjithçka ka kaluar pa probleme. Rreth orës 12:30, eskorta ka arritur të dalë nga kisha dhe ka kaluar zonën e policisë sonë, nën pëcjelljen tonë. Asnjë problem nuk është regjistruar deri në këtë moment”, ka thënë Gjokaj.

Ai ka shtuar se para arritjes së pelegrinëve serbë, një person është arrestuar nga Policia e Kosovës për prishje të rendit dhe qetësisë publike.

Gjokaj po ashtu ka hedhur poshtë pohimet e disa medieve lokale se autobusi i pelegrinëve serbë është gjuajtur me gurë.

Pelegrinët serbë, fillimisht, kanë vizituar sot Manastirin e Deçanit për të shënuar Krishtlindjet ortodokse.

XS
SM
MD
LG