Ndërlidhjet

Qendra Klinike Universitare e Kosovës frekuentohet nga më shumë se 30 mijë vizitorë gjatë ditës.

Klinika Emergjente është njëra nga qendrat që vizitohet më së shumti, për shkak të natyrës së saj specifike.

Ekspertë shëndetësor thonë se Klinika Emergjente duhet të jetë e dizajnuar në proporcion me numrin e përgjithshëm të popullsisë së një vendi.

Klinika Emergjente aktuale në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është rreth 507 metra katrorë dhe posedon 22 shtretër, gjë që, sipas Basri Lenjanit, drejtor i kësaj klinike, nuk i përmbushë nevojat dhe kërkesat e pacientëve.

Projekti për ndërtimin e ndërtesës së re të Klinikës Emergjente është hartuar qysh në vitin 2007, derisa thuhet se këtë vit do të fillojë ndërtimi i saj.

Kjo klinikë është paraparë të shtrihet në një sipërfaqe prej 20 mijë metrash katrorë, me shtatë departamente dhe me mbi 200 shtretër, ndërsa i gjithë projekti do të kushtojë rreth 28 milionë euro.

"Në bazë të informatave tona, lënda për projektin e objektit të ri të Klinikës Emergjente është në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Është paraparë që në mars të këtij viti të fillojë projekti. Mendoj që viti 2016 do të jetë një kaptinë e re për shërbimet emergjente".

"QKUK që nga viti 2010 e ka hapur konkursin për dizajnimin dhe projektin ideor. Deri më tani është bërë përzgjedhja e ofertuesve, ndërsa lënda ka mbetur te Ministria e Shëndetësisë. Përkundër kësaj, më pas janë shtuar kritere që plotësojnë detyrimet në bazë të tenderimit. Tani pritet të bëhet zgjedhja përfundimtare dhe të fillojë këtë vit ndërtimi", ka thënë zoti Lenjani.

Por, ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, në një prononcim dhënë Radios Evropa e Lirë, ka thënë se ende nuk është marrë ndonjë vendim përfundimtar, nëse do të kalojë ose do të anulohet tenderi për ndërtimin e objektit të Klinikës Emergjente.

‘’Ende nuk është marrë vendimi përfundimtar nga Organi i Shqyrtimit Publik. Është duke u shqytuar nëse procedurat e prokurimit janë në rregull. Nëse nuk janë në rregull,do të anulohet tenderi, por ne do ta shpallim rishtas tjetrin. Nëse kalon, do të shohim sa ka qenë procedura transparente dhe do të nënshkruhet kontrata".

"Është i paraparë edhe buxheti për emergjencë. Unë këtë projekt e kam dërguar edhe në Emiratet e Bashkuara Arabe, dhe do të shohim nëse do të na përkrahin me donacione edhe ata’', thotë Rrahmani.

Skeptik për fillimin e ndërtimit të objektit të Klinikës Emergjente shprehet kryetari i Sindikatës Federale të Shëndetësisë, Blerim Syla.

"Janë ndarë për fillim 2 milionë e 700 mijë euro, por sipas informative tona, ato të holla nuk janë më. Gjendja aktuale në Klinikën Emergjente është mjaft e rëndë. Presioni nga ana e sindikatës nuk ka ndikuar asnjëherë në përshpejtimin e procedurave. Megjithatë, ne nuk kemi marrë konfirmim zyrtar që ky projekt do të nis këtë vit", shtoi Syla.

Ndryshe, zoti Lenjani ka shtuar se gjendja aktuale e shërbimeve shëndetësore emergjente është e vështirë të përballohet në rast të katastrofave natyrore, siç jane tërmetet , vërshimet, e të ngjashme.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG