Ndërlidhjet

Besimtarët ortodoks në Kosovë festojnë Krishtlindjen


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Besimtarët ortodoks në Kosovë, që kryesisht i përkasin komunitetit serb, po festojnë Krishtlindjet me lutjet për mirëqenie dhe një jetë më të mirë. Festimi i Krishtlindjes Ortodokse u shënua edhe në Mitrovicën veriore, ku banon një numër më i madh i serbëve të Kosovës.

Mesha e Krishtlindjes u mbajt në kishën Shën Dimitri në veri të Mitrovicës.

Nebojsha Joviq ishte një prej besimtarëve që kishte ndjekur këtë meshë. Ai lutet që njerëzit t'i kthehen besimit dhe të jetojnë më të lumtur me njëri tjetrin.

“Atë ditë kur do t'i kthehemi besimit do të krijohen kushtet që të jetojnë normalisht, që e mira ta mposht të ligën, që e drejta ta mund të padrejtën dhe që mirëkuptimi të fitojë mbi çmendurinë", ka thënë ky qytetar me emrin Nebojsha Joviq.

Ai ka shprehur besimin e tij se raportet ndërmjet komuniteteve në Mitrovicë po normalizohen gradualisht.

"Sa i përket Mitrovicës është mirë që nuk ka më dhunë dhe urrejtje. Jetojmë njëri pran tjetrit dhe do të vijë koha kur do të jetojmë së bashku", ka thënë tutje Joviq.

Edhe Ivana Petroviq nga Mitrovica përfundoi lutjet e saj me shpresën se vit pas viti, siguria fizike nuk po paraqet më preokupimin kryesor të qytetarëve në këtë pjesë të Kosovës.

Kurse për shqetësimet tjera ekonomike, ajo në radhë të parë beson në premtimet që vijnë nga Beogradi.

"Frika konkrete për sigurinë fizike më nuk është mbi frikën për mbijetesë ekonomike. Por edhe në këtë aspekt një domethënie të madhe ka porosia e qeverisë së Serbisë se do të mbetet këtu dhe do të vazhdoj të financoj në veri të Kosovës", ka thënë Ivana Petroviq.

Ndërkaq Jelena Jovaniq, nga Mitrovica, në radhë të parë beson që festa të tilla duhet t'i rikujtojnë njerëzit që të besojnë dhe të kthejnë të mirën mbi të keqen.

“Mendoj që të gjithë duhet të mundohemi që të mbetemi njerëz të mirë dhe të mos lejojmë që joshja të na dëmtoj. Duhet të mbesim krishterë të mirë dhe të mos e harrojmë zotin", ka thënë kjo qytetare me emrin Jelena Jovaniq.

Kremtimi i Krishtlindjes Ortodokse ka kaluar qetë ka njoftuar Policia e Kosovës.

Ndërkaq të mërkurën në Gjakovë, një grup prej 30 personash, ka protestuar përderisa rreth 50 pelegrinë serbë kishin vendosur të vizitonin kishën ortodokse në Gjakovë.

Megjithatë, edhe atje përveç protestës, pelegrinët serb, sipas policisë, nuk janë penguar që të vizitonin kishën ortodokse serbe në rrugën “Mbretëresha Teutë” në Gjakovë.

Besimtarët e krishterë ortodoks, i ka uruar edhe presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, kryeministri Isa Mustafa dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Liderët e institucioneve janë zotuar për fuqizimin e mëtejshëm të vlerave tradicionale, të harmonisë ndërfetare, tolerancës dhe respektit të ndërsjellë ndërmjet qytetarëve të Kosovës.

XS
SM
MD
LG