Ndërlidhjet

Vendimet e Qeverisë së Kosovës për ngritjen e akcizës së disa produkteve, nga njohës të çështjeve ekonomike, po konsiderohet si rrezik për rritjen e kontrabandës së këtyre mallrave.

Qeveria e Kosovës, nga 1 janari i këtij viti, ka ngritur akcizën për duhan, nga 38 euro në 1000 copë, në 41 euro. Rritja e akcizës për këtë produkt është paraparë që deri në vitin 2019 të ngritët deri në 47 euro në 1000 copë.

Vitin që lamë pas gjithashtu ishte bëra ngritja e akcizës me normë prej 40 për qind në aparatet apo makinat që përdoren në lojërat e fatit, e po ashtu u vendos akciza prej 2 eurosh për kilogram në fishekzjarrë.

Ibrahim Rexhepi, drejtor i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale “STRAS”, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se vendimet për rritjen e akcizës në këto produkte po bëhen më shumë për mbushjen e buxhetit të shtetit.

“Qeveria e Kosovës po tenton që përmes disa masave që nuk janë goditëse apo që nuk e rrezikojnë shportën e artikujve, t’i kompensojë disa mungesa që mund t’i këtë buxheti i Kosovës. Si masë më e lehtë është ngritja e akcizës në produktet e luksit, ku hyn edhe cigarja. Një vendim i tillë, sado që reflekton në koston e jetës së qytetarit, megjithatë, nuk është aq i dhimbshëm kur kihen parasysh artikujt e tjerë elementarë që lirohen nga disa ngarkesa fiskale”, thekson Rexhepi.

Sipas tij, në momentin që rritet akciza në këto produkte dhe bëhet më e lartë sesa në vendet e rajonit, atëherë ekziston rreziku i rritjes së kontrabandës.

“Nëse ka lëvizje apo ndryshime të ngarkesave fiskale, qoftë tatimore apo të akcizës, atëherë sigurisht se do të ketë kontrabandë të artikujve nga rrugët legale të importit”, shton Rexhepi.

Medikamentet, derivatet e naftës, stolitë e arit, telefonat celularë,si dhe pijet alkoolike dhe joalkoolike janë mallrat që më së shumti kontrabandohen në Kosovë. Shumica prej tyre janë mallra me akcizë.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tha se në aspektin teorik, çdo herë ekziston rreziku që me ngritjen e taksave të caktuara të ketë rritje të kontrabandës.

Megjithatë, sipas tij, niveli i kontrabandës në Kosovë nga viti në vit ka shënuar rënie.

“Për momentin tregu i duhanit, produkti i fundit që i është rritur akciza, është një treg mjaft i rregulluar. Dogana ka të dhëna se kush janë importuesit, pastaj për sasinë e importit dhe konsumimit. Ne e vlerësojmë se 95 për qind e të gjitha produkteve të duhanit që hyjnë në Kosovë janë të zhdoganuara. Kemi një 5 për qind që konsiderohet se mund të jetë kontrabandë”, thekson Stavileci.

Sipas të dhënave të Doganave të Kosovës, importi vjetor i duhanit është deri në 3 mijë tonë.

Doganat e Kosovës janë kontribuuesi kryesor i buxhetit të shtetit, i cili grumbullon për arkën e shtetit tri tatime kryesore: TVSH-në në import, taksën doganore dhe akcizën.

Gjatë vitit 2015, Doganat e Kosovës kanë mbledhur 950,4 milion euro.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG