Ndërlidhjet

Xhihadistët dalin me revistë mbi kriptografinë


Ilustrim @ Shutterstock

Ilustrim @ Shutterstock

Një grup i xhihadistëve gjermanofolës e ka publikuar numrin e parë të një reviste online, që jep informacione për komunikimet e koduara dhe sigurinë në Internet.

Publikimi i kësaj reviste e thekson rritjen e vetëdijes dhe interesimin për siguri dhe kodim në mesin e militantëve islamikë, si mjet për t'ua mundësuar atyre që më mirë t’i shmangen monitorimit nga shërbimet e sigurisë së qeverive.

Kjo revistë me titullin, Kybernetiq, është në gjuhën gjermane dhe është postuar në mediat sociale më 28 dhjetor nga një grup, që në rrjetin Twitter pretendon se “nuk është ISIS”, shkurtesë që i referohet grupit ekstremist, Shteti Islamik (IS).

Ky grup i ka thënë Radios Evropa e Lirë, në një këmbim direkt të mesazheve në Twitter, se “për ju mjafton ta dini se ne nuk jemi nga ISIS-i”, por nuk kanë thënë nëse ata kanë ndonjë lidhje me çfarëdo grupi tjetër militant.

Sipas grupit të inteligjencës SITE, që ka përkthyer ekstrakte nga revista Kybernetiq, në të është përfshirë një artikull se si xhihadistët mund ta mbrojnë indentitetin e tyre online.

Një pjesë e këshillave thonë se militantët e mundshëm duhet t'u shmangen aplikimeve që kanë “shenjë muxhahedine", për shembull, simbolin e identitetit xhihadist, që tek agjencitë e zbatimit të ligjit i identifikon ata si militantë.

Sipas grupit SITE, revista Kybernetiq, po ashtu, ka rekomanduar që xhihadistët t’i përdorin gratis softuerët Tor ose Tails, që përdoruesve ua mundësojnë kërkim në mënyrë anonime në Internet.

Sipas përkthimit të grupit SITE, Kybernetiq i ka këshilluar militantët e mundshëm ta përdorin aplikacionin WhatsApp ose aplikacionin e mesazheve Telegram, që janë mbështetur në shifrim dhe e ka lavdëruar softuerin kriptografik, GVU Privacy Guard, duke thënë se paraqet “ankth për agjencitë e inteligjencës”.

Militantët me “vetëdije për siguri”

Platformat e shifruara sikur ajo Tor, dhe aplikacioni i popullarizuar për mesazhe, WhatsApp, kanë shumë përdorim te ata që dëshirojnë privatësi. Ato i mbajnë të dhënat në siguri dhe mund të lejojnë që ata që jetojnë në regjimet represive të komunikojnë pa qenë të përgjuar ilegalisht.

Por, inteligjenca dhe agjencitë e zbatimit të ligjit kanë tërhequr vërejtjen se teknologjitë e tilla, po ashtu, po shfrytëzohen gjithnjë e më shumë nga ekstremistët, përfshirë grupin, Shteti Islamik (IS).

Ata që e gjurmojnë përdorimin e teknologjisë së shifruar nga xhihadistët thonë, po ashtu, se ky problem po rritet.

Në muajt e fundit, ka pasur ndryshim të dukshëm të militantëve të IS-it në përdorimin e disa prej këtyre platformave, e veçanërisht atë Telegram, për t’i përhapur mesazhet e propagandës në Internet.

Një burim në nëngrupin GhostSec të Anonymus-it, që është kundër IS-it, tha se në vetëm pesë ditët e kaluara, është shënuar rritje në krijimin e dhomave të reja të bisedimeve (chat rooms) të xhihadistëve në Telegram. Ky nëngrup thotë se tash po i gjurmon më tepër se 300 dhoma të këtilla në gjuhë të ndryshme.

“Ndjej se përdorimi i tyre i Telegramit nuk po vërehet dhe ai është shumë më i fuqishëm se që ndokush mund ta imagjinoj”, i tha Radios Evropa e Lirë ky burim.

“Traditë e gjatë” e jo fenomen i ri

Sipas Alex Krasodomskit nga Qendra për analiza të mediave sociale në institutin Demos me seli në Londër, përdorimi i teknologjisë së shifruar nga grupet militante nuk është fenomen i ri, por pjesë e një “tradite të gjatë”.

Në vitin 2007, al-Qaeda e ka publikuar softuerin e vet të kodimit. (Veçanërisht, Kybernetiq i këshillon militantët e mundshëm që të mos e përdorin për shkak se është i ndërlidhur me xhihadistët).

Ajo që është e re është rritja e numrit të aplikacioneve që e përdorin softuerin e shifruar, ndërsa shumica prej tyre, siç janë Telegram dhe WhatsApp, mund të shkarkohen gratis në Internet.

Prandaj, nuk është befasuese se “xhihadistët e mundshëm janë pranues të hershëm” të teknologjive të tilla, thotë eksperti Krasodomski.

Rrjedhimisht, rritja në qasje të platformave të koduara komunikuese i ka shtuar shqetësimet se përdorimi i tyre nga ana e militantëve mund të paraqes kërcënim serioz, meqë u lejon atyre që t’i shmangen monitorimit nga shërbimet e sigurisë.

Menjëherë pas sulmeve në Paris më 13 nëntor, nga të cilat u vranë 130 vetë, e për të cilat IS-i e ka marrë përgjegjësinë, ka pasur spekulime se sulmuesit e kishin përdorë komunikimin e koduar për komplot dhe për udhëheqje të sulmeve.

Por, shtroihet pyetja se a paraqet kërcënim real rritja e komunikimeve të koduara nga xhihadistët?

Alex Krasodomski thekson se përkundër shqetësimeve fillestare, shenjat tregojnë se rrjetet e IS-it të involvuara në sulmet në Paris, kanë përdorë teknolgoji të pakoduar, pasi ato ishin mesazhe teksuale të stilit të vjetër.

Sipas tij, vënia e fajësisë për këto sulme “në derë të kriptografisë nuk është përgjigje”.

Megjithatë, “kodimi është fakt dhe shërbimet e sigurisë duhet të kenë kapacitet dhe mjete ligjore për tu marrë me këto çështje, që reflekton këtë realitet të ri”, thotë Krasodomski.

Ai shprehet se nuk mendon se “kodimi do t’i paralizojë shërbimet e sigurisë”.

Duhet theksuar se edhe autorët e revistës Kybernetiq nuk janë të bindur se softueri kodues do t’i bëjë ata të paprekshëm nga shërbimet e sigurisë.

Xhihadistët duhet të shkruajnë mesazhe realisht të rëndësishme në letër, e ato pastaj “të digjen shpejtë”, shkruan në revistën, Kybernetiq. ​[f. bujupi]

XS
SM
MD
LG