Ndërlidhjet

BE mirëpret ndihmën në fshatin e rrethuar sirian


Madaja, Siri
Madaja, Siri

Bashkimi Evropian ka mirëpritur vendimin e Qeverisë siriane për të lejuar ndihmat humanitare në fshatin e rrethuar Madaja, pas raporteve se njerëzit atje janë duke vdekur nga uria.

Përmes një deklarate, BE-ja po ashtu ka bërë thirrje për ndalimin e të gjitha sulmeve ndaj civilëve në konfliktin sirian, përpara bisedimeve për paqe, që priten më 25 janar.

Kryqi i Kuq ka thënë sot se agjencitë e ndihmës kanë marrë lejen e Damaskut për të dërguar ndihma në Madaja.

Kombet e Bashkuara kanë thënë se ndihma humanitare do të nisë të hyjë në Madaja dhe në dy lokacione të tjera të rrethuara në “ditët e ardhshme”.

Madaja, e cila ndodhet pranë kufirit me Libanin, është nën rrethimin e forcave qeveritare qysh në fillim të muajit korrik.

Agjencitë e ndihmës thonë se banorët e Madajas janë duke vuajtur nga kequshqyerja e rëndë dhe se kanë pak qasje në karburante dhe furnizime mjekësore.

Dy lokacionet e tjera janë fshatrat shiitë Foua dhe Kfarja, në veri të provincës Idlib, të cilët janë rrethuar nga luftëtarët antiqeveritarë.

Rreth 4.5 milionë njerëz në Siri jetojnë në zona vështirë të arritshme, përfshirë afro 400,000 në 15 zona të rrethuara.

XS
SM
MD
LG