Ndërlidhjet

Prokurimi elektronik nuk eliminon korrupsionin


Ilustrim
Ilustrim

Vetëm prokurimi elektronik, i cili ka filluar të aplikohet në Kosovë qysh në fillim të këtij viti, sipas përfaqësuesve të biznesit, nuk do të mund të eliminojë të gjitha parregullsitë, që i ka pasur fusha e prokurimit publik në vend.

Prokurimi publik në Kosovë për vite me radhë në raportet vendore dhe ndërkombëtare, ishte konsideruar si burim i korrupsionit në vend.

Një vlerësim i tillë ishte dhënë vazhdimisht në raportet e progresit për Kosovën të Komisionit Evropian.

Parregullsitë e evidentuara gjatë procesit të prokurimit publik ishte thënë se kanë krijuar probleme të mëdha edhe në zhvillimin ekonomik të vendit.

Janë rreth 700 milionë euro në vit të buxhetit të Kosovës, të cilat shpenzohen përmes prokurimit publik.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se bizneset në vazhdimësi janë ankuar për keqpërdorime në proceset tenderuese.

Nga hulumtimet që janë bërë nga Oda Amerikane me bizneset, këta të fundit kishin treguar për një fenomen të tillë.

“Në luftimin e korrupsionit, në rritjen e llogaridhënies dhe transparencës në menaxhimin e parasë publike, do të jetë i rëndësishëm platforma elektronike, e cila është inauguruar, mirëpo realisht vetëm platforma elektronike nuk do të sjellë rezultat dhe efektet e pritura nëse nuk punohet në fuqizimin e legjislacionit që ka të bëjë me proceset e prokurimit”, vlerëson Zeka.

Në anën tjetër, edhe njohësi i çështjeve ekonomike, Milazim Abazi, konsideron se korrupsioni në fushën e prokurimit, nuk mund të luftohet vetëm me platformën elektronike të prokurimit publik.

“Është një gjë pozitive që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës. Prokurimi elektronik mund të ndihmojë shumë në rregullimin e kësaj fushe, e cila është më e korruptuar në nivel të Kosovës. Por, nuk mjafton vetëm zbatimi i këtij programi, duhet të krijohet fryma ndaj luftës së korrupsionit”, thekson Abazi.

Autoritetet e Kosovës kishin theksuar se me fillimin e zbatimit të platformës elektronike të prokurimit, buxheti do të kursehej për rreth 80 milionë euro në vit.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në inaugurimin e kësaj platforme, kishte deklaruar se përmes prokurimit elektronik, do të shtohet transparenca dhe konkurrenca në procesin e prokurimit, do të ndikohet në uljen e çmimeve, dhe në kursimin e parasë publike, si dhe në cilësinë më të mirë të projekteve, të cilat financohen me paranë publike.

Ligji i prokurimit publik është miratuar në vitin 2003 dhe deri më tani ky ligj ka pësuar ndryshime më shumë se pesë herë.

XS
SM
MD
LG