Ndërlidhjet

Ofensivat e pazakonshme të dimrit nga talibanët në Afganistan


Luftëtarët talibanë pakistanezë, të cilët u arrestuan nga policia kufitare afgane më 5 janar 2016

Luftëtarët talibanë pakistanezë, të cilët u arrestuan nga policia kufitare afgane më 5 janar 2016

Gjatë këtij dimri, talibanët në Afganistan po zhvillojnë një fushatë jashtëzakonisht agresive të dhunës, duke përfshirë sulmet vdekjeprurëse në kryeqytet, kërcënimet se do ta pushtojnë një krahinë strategjike në jug dhe sulmin ndaj një konsullate të huaj.

Terreni malor i Afganistanit dhe bora e madhe, tradicionalisht kanë nxitur një gjumë dimëror për luftime nga ana e militantëve, të cilët muajt e ftohtë të dimrit i kanë përdorur për të pushuar dhe për t’u rigrupuar përpara ofensivës vjetore pranverore.

Ka disa arsye pse nuk ka pasur pakësim të luftimeve këtë dimër, duke shënuar një ndryshim për talibanët gjatë dekadës së fundit.

Karta e pazarit

Talibanët po bëjnë përpjekje që ta forcojnë dorën negociuese pas shtytjes ndërkombëtare për t’i ngjallur bisedimet e paqes me grupin militant, thonë analistët.

Më 11 janar, Afganistani dhe Pakistani kanë vendosur që ta mbajnë raundin e parë të bisedimeve, ku janë të përfshira edhe Shtetet e Bashkuara dhe Kina, e që qëllim e kanë gjetjen e një rruge për paqe gjithëpërfshirëse.

Pakistani, i cili thuhet se mund të ushtrojë ndikim të konsiderueshëm mbi talibanët, ka qenë nikoqir i raundit të parë të bisedimeve në muajin korrik.

“Rritja e dhunës gjatë dimrit në Afganistan, duket se po ndodh në kohën kur po bëhet presion ndaj Pakistanit për t’i nxitur talibanët që t’u bashkohen bisedimeve të paqes”, thotë Mohammad Taqi, një analist pakistanez me bazë në SHBA, duke shtuar:

“Pakistani duket se po lidh bast me përfaqësuesit e talibanëve për ta fituar një vend sa për ta vendosur këmbën sikurse në provincën Helmand – ku talibanët, duke synuar që t’i marrin disa rrethe, po angazhohen për luftime të ashpra kundër forcave afgane dhe forcave speciale amerikane – dhe më pas ta paraqesë atë si një fakt të kryer për Qeverinë afgane dhe SHBA-në”.

Taqi shton se pavarësisht nëse fitojnë apo jo talibanët territor të ri, dhuna do të përdoret si një fuqi në bisedime.

Washinton Post gjatë muajit të kaluar i ka cituar zyrtarët perëndimorë dhe ata afganë të kenë thënë se “talibanët tashmë kanë më shumë territor (në Afganistan) sesa në secilin vit që nga 2001”, kur ndërhyrja e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara e rrëzoi regjimin taliban që kontrollonte pjesët më të mëdha të vendit.

Nga informatat e mbledhura, zyrtarët e sigurisë nga Kombet e Bashkuara deri në muajin tetor të vitit të kaluar, e vlerësuan si “të lartë” apo “ekstrem”, nivelin e kërcënimit nga talibanët në shumë rrethe që administrohen nga Qeveria afgane që nga viti 2001.

Është e paqartë nëse talibanët, të cilët kishin thënë se nuk do të mbajnë bisedime në Kabul, do të marrin pjesë në bisedimet në Islamabad.

Zyrtarët afganë kanë thënë se presin nga militantët që t’i bashkohen procesit të paqes në një periudhë më të mëvonshme.

Talibanët mbesin të hapur ndaj skenarëve të ndryshëm”, thotë Thomas Ruttig, bashkë-redaktor i Rrjetit të Analistëve të Afganistanit, një organ i pavarur ekspertësh në Kabul.

Njëri [skenar] është ripushtimi i vendit nëpërmjet mjeteve ushtarake. Dhe i dyti, nëse nuk realizohet i pari, të bëhen pjesë e Qeverisë nëpërmjet bisedimeve. Në të dy skenarët, përfitimi ushtarakisht ndihmon”, thekson Rutting.

Loja e pushtetit

Lideri taliban, Mullah Akhtar Mansur, po përpiqet të mbajë kontrollin e tij mbi pushtetin dhe analistët thonë se sulmet e profilit të lartë mund ta forcojnë pozitën e tij brenda grupit të copëtuar.

Mansur ishte emëruar udhëheqës i talibanëve në korrik, pasi qeveria afgane njoftoi se udhëheqësi shpirtëror taliban, Mullah Mohammad Omar, kishte vdekur në Pakistan në vitin 2013.

Por, pas kësaj ka nisur një mosmarrëveshje ndërmjet liderëve, ngase disa komandantë talibanë, refuzuan ta njohin Mansurin si lider të tyre. Një fraksion i ndarë i talibanëve, haptas e ka kundërshtuar udhëheqjen e re.

Mansor qe plagosur rëndë në dhjetor, nga një përleshje me armë gjatë një takimi të komandantëve talibanë në Pakistanin fqinj. Ky rast i ka shfaqur ndarjet mes tyre.

“Mullah Mansur dëshiron të tregojë se është lider dhe se ai mund ta bëjë atë që e bëri Mullah Omari”, thotë Abdul Waheed Wafa, drejtor i Qendrës së Afganistanit në Universitetin e Kabulit.

Brenda vitit, deri në muajin nëntor, janë vrarë rreth 7 mijë pjesëtarë të forcave afgane, ndërsa janë plagosur 12 mijë të tjerë, një rritje kjo prej 26 për qind e numrit të të vrarëve dhe të plagosurve gjatë vitit 2014.

Fushëbeteja e mbushur

Një numër i aktorëve të rinj, në kohëve të fundit, ka hyrë në skenë në Afganistan, duke i kontribuuar dhunës teksa grupet rivale militante po konkurrojnë për terren dhe ndikim.

Fraksioni i shkëputur taliban, Këshilli i Lartë i Emiratit Islamik të Afganistanit, njoftoi për ardhjen e tij në muajin nëntor.

I udhëhequr nga ish-guvernatori taliban Mullah Mohammad Rasul, grupi është përleshur për muaj disa muaj me luftëtarët talibanë.

Numri i personave të armatosur që janë betuar për besnikëri ndaj grupit militant Shteti Islamik, gjithashtu është në rritje në Afganistan, ka bërë përpjekje ta krijojnë një bazë rajonale.

Militantët e Shtetit Islamik kanë qenë të angazhuar në përshkallëzimin e luftimeve me milicitë në lindje të Afganistanit.

Ndërkohë, forcat speciale të talibanëve thuhet se janë të vendosura që ta përndjekin ekstremizmin.

“Njëri nga faktorët për dhunën e madhe gjatë gjashtë muajve të fundit ka qenë edhe shfaqja e një grupi tjetër taliban dhe shfaqja e Daesh-it [akronim arab për Shtetin Islamik]”, thotë Wafa, dhe shton:

Ka shumë raporte nga Afganistani lindor për luftë të përgjakshme në mes të talibanëve dhe Daesh-ve”.

Paqja Pakistan - Indi

Ka dyshime se elemente brenda ushtrisë pakistaneze që i kanë mbështetur talibanët, po i përdorin militantët që të sulmojnë interesat indiane në Afganistan dhe t’i prishin propozimet e Qeverisë pakistaneze drejtuar Nju Delhit.

Pakistani dhe India kohëve të fundit janë marrë vesh për rinisjen e bisedimeve të paqes. Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, realizoi një vizitë të papritur në Pakistan gjatë muajit dhjetor, ku u takua me kryeministrin pakistanez, Nawaz Sharif.

Kjo ishte vizita e parë pas disa dekadash e një udhëheqësi të Qeverisë indiane në Pakistan.

Vizita në Pakistan ishte realizuar disa orë pasi Modi e kishte vizituar Kabulin.

Analistët paralajmëruan se dy sulmet e fundit mbi interesat indiane - një rrethim i Konsullatës indiane në qytetin verior afgan Mazar-e-Sharif që përfundoi më 4 janar dhe një sulm vdekjeprurës në një bazë ajrore në Indi - mund t’i minojnë përpjekjet për arritjen e paqes.

“Sulmi në bazën ajrore në Pathankot ishte në kohën e duhur për t’i shkatërruar lëvizjet drejt paqes Modi-Nawaz. Ishte koordinuar për ta sulmuar një strukturë ushtarake dhe nuk bëri kërdi sikurse sulmet në Mumbai në vitin 2008”, thotë Taqi, duke iu referuar bombardimeve dhe të shtënave të koordinuara të një grupi militant pakistanez, me ç’rast ishin vrarë më shumë se 160 persona.

“Sulmi i fundit e hedh një çelës në bisedime dhe siç dihet deri më tani nuk do të shkaktojë një përgjigje ushtarake nga India”, shton Taqi.

Sulmet e fundit në Indi dhe Afganistan kanë qenë të lidhura me militantët pakistanezë.

Katër personat e armatosur që e kanë sulmuar Konsullatën indiane në Mazar-e Sharif, besohet se janë anëtarë të grupit të ndaluar militant që e ka bazën në Pakistan, Jaish-e-Mohammed.

Para se të vritej, sulmuesi e ka shkruar një mesazh në gjuhën amtare, urdu, duke thënë se qëllimi i tyre ishte për t’u hakmarrë për vrasjen e Afzal Guru, një anëtar i grupit, i cili ishte vrarë në vitin 2013 për rolin e rij në një sulm të vitit 2000, mbi ndërtesën e Parlamentit në Nju Delhi.

Përgatiti: Selvije Bajrami
XS
SM
MD
LG