Ndërlidhjet

Liga Arabe: Irani minon stabilitetin rajonal


Nga takimi i Ligës Arabe në Kajro...
Nga takimi i Ligës Arabe në Kajro...

Ministrat e Jashtëm të vendeve të Ligës Arabe kanë kritikuar Iranin për ndërhyrje në çështjet arabe.

Në një takim në Kajro, ministrat kanë akuzuar Iranin, e udhëhequr nga shiitët, për shkelje të marrëveshjeve ndërkombëtare, duke dështuar qëllimisht të mbrojë postet diplomatike të Arabisë Saudite në Teheran.

Libani, i cili ka popullsi të madhe shiite dhe strehon grupin militant shiit të Hezbollahut, ka qenë i vetmi zë kundërshtues.

Në deklaratën e Ligës Arabe, megjithatë, nuk është përmendur asnjë masë e re ndëshkuese kundër Iranit.

Riadi ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Teheranin, pasi protestuesit iranianë, më 2 janar, të zemëruar me ekzekutimin e një kleriku të shquar shiit nga autoritetet saudite, kanë sulmuar ambasadën saudite në Teheran.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif, ka akuzuar Riadin se përdor tensionimin e situatës për të penguar bisedimet për paqe në Siri.

“Qasja e Arabisë Saudite është të krijojë tensione, me qëllim që të ndikojnë negativisht në krizën e Sirisë”, ka thënë Zarif.

Por, i dërguari i Kombeve të Bashkuara për Sirinë, Staffan de Mistura, ka thënë pas vizitës në Teheran se Zarif e ka siguruar atë se Irani nuk do të lejojë që çështja të ketë ndikim negativ në bisedimet për paqe në Siri, të cilat do të nisin më 25 janar.

Partnerët e Arabisë Saudite në Këshillin e Bashkëpunimit të Gjirit – Bahrejni, Kuvajti, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari dhe Omani – kanë shprehur mbështetje për Riadin në problemin diplomatik në Iranin, duke dënuar, siç kanë thënë, ndërhyrjen e Iranit në çështjet e brendshme të Riadit.

Përmes një deklarate, gjashtë vendet kanë dënuar fuqishëm sulmet ndaj misioneve diplomatike në Teheran.

Ato kanë thënë se Teherani “mban përgjegjësi për këto akte terroriste”.

Arabia Saudite po ashtu akuzon Iranin për sponsorizim të terrorizmit dhe ka paralajmëruar se është duke shqyrtuar hapa të rinj kundër Teheranit.

Zyrtarët iranianë kanë kritikuar rëndë autoritetet saudite për ekzekutimin e klerikut Nimr al-Nimr dhe një turmë iraniane ka sulmuar ambasadën dhe konsullatën saudite në Teheran në shenjë proteste.

Së bashku me Arabinë Saudite, Bahrejni ka ndërprerë po ashtu marrëdhëniet diplomatike me Teheranin, ndërsa Kuvajti dhe Katari kanë tërhequr ambasadorët dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë zvogëluar lidhjet.

Irani, ndërkaq, ka ndërprerë të gjitha lidhjet tregtare me Riadin. (v.tela)

XS
SM
MD
LG