Ndërlidhjet

logo-print

Ndërtimi i TC “Kosova e Re”, rrit çmimin e energjisë


Foto nga arkivi

Foto nga arkivi

Ndërtimi i Termocentralit “ Kosova e Re” do të dëmtojë ekonomitë familjare dhe atë të përgjithshme, pasi do të rris çmimin e energjisë elektrike për rreth 50 për qind, kanë thënë përfaqësues të shoqërisë civile.

Në një raport të publikuar të hënën në Prishtinë, të quajtur Termocentrali i Propozuar “Kosova e Re", Barrë e Panevojshme dhe me Çmim të Paarsyeshëm, i realizuar nga Instituti për Analiza Ekonomike dhe Financiare të Energjisë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në bashkëpunim më Konsorciumin Kosovar të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm, (KOSID) është thënë se çmimi i energjisë do të shtrenjtohet.

Nga kjo rritje, në rend të parë do të preken familjet me kushte të rënda sociale, kurse kostoja e ndërtimit do të jetë katër herë më e lartë se paralajmërimet e ministrisë përkatëse.

Tom Sanzillo, drejtor financiar në Institutin për Analiza Ekonomike dhe Financiare të Energjisë, ka thënë se Termocentrali “Kosova e Re" është një hap social dhe financiar prapa, për Kosovën.

“Nëse ndërtohet termocentrali “Kosova e Re” do të shkaktojë rritje të energjisë deri në 50 për qind, kjo është një rritje shumë e madhe".

Ministria e Zhvillimit Ekonomik, ka thënë ai, ka paralajmëruar se kostoja e ndërtimit do të jetë rreth një miliard euro, kurse sipas studimit, ndërtimi i këtij termocentrali do të shkojë në 4.16 miliardë euro.

Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID), vazhdimisht ka kritikuar ndërtimin e këtij projekti që konsiderohet një nga projektet më të mëdha në vend.

Visar Azemi, nga ky konsorcium, ka dhënë detaje që sipas tij, mund të paguajnë qytetarët koston e energjisë elektrike pas ndërtimit të këtij termocentrali.

“Familja mesatare kosovare do të paguaj 12.9 për qind të të ardhurave të tyre për energji elektrike, familjet me të ardhura të ulëta dhe të mesme në Kosovë do të paguajnë 18 për qind. Kurse pjesa që do të pësojë më se keqi është shtresa e varfër që nuk është pak në Kosovë, ku do të shkojë në 39.7 për qind të të ardhurave të tyre për energji elektrike. Kostoja e energjisë elektrike me pakicë do të rritet nga 33 deri në 50 për qind”, ka thënë Azemi.

Ndryshe, në fund të vitit të kaluar ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, ka thënë se ndërtimi i këtij projekti do të fillojë gjatë këtij viti dhe do të përfundojë pas gjashtë vitesh, në vitin 2022.

Statusi i ofertuesit të preferuar i është dhënë kompanisë se vetme në garë, "Contour Global" nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me të cilën Qeveria e Kosovës ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re".

Por, Visar Azemi, thotë se detajet e publikuara për projektin janë jo të plota dhe mungon transparenca nga Qeveria e Kosovës.

"Duke marrë parasysh se “Contour Global” ka qenë ofertuesi i vetëm në këtë ofertë, e dimë që aspektet financiare kanë shkuar ashtu siç i janë përshtatur kompanisë dhe jo qytetarëve“, tha Azemi.

Raporti po ashtu bën disa paralajmërime lidhur me financimin e këtij projekti, punimet për të cilin kanë filluar më tepër se një dekadë.

Barra e propozuar e borxhit, thuhet në raport, prej 945 milionë eurosh, do të shkaktojë një trysni tepër të madhe në sistemin bankar dhe do të largojë investimet e reja në shumë fusha tjera të ekonomisë.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG