Ndërlidhjet

Dallime rreth datës së zgjedhjeve në Maqedoni


Ilustrim

Ilustrim

Opozita në Maqedoni vlerëson se zgjedhjet nuk mund të mbahen pa plotësimin e kritereve. Partitë në pushtet nga ana tjetër kërkojnë mbajtjen e tyre në afatin e paraparë më 24 prill.

Sipas analistëve dilemat, jo vetëm për zgjedhjet, por edhe qeverinë e re pritet të zgjidhet gjatë vizitës këtë javë Shkup të komisionerit për zgjerim, Johanes Hahn.

Kjo javë do të jetë vendimtare për krizën politike në Maqedoni, para se gjithash për atë nëse më 24 prill do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare, nga të cilat varet edhe dorëheqja e kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski.

Në bazë të marrëveshjes politike, deri më 15 janar duhet të zgjidhet qeveria kalimtare, me përfshirjen edhe të opozitës.

Lidhur me këtë, partitë politike në Maqedoni kanë qëndrime të kundërta. Edhe pse ende jo me qëndrim të prerë, opozita është kundër mbajtjes së zgjedhjeve në afatin e paraparë, nëse, sipas saj, nuk përmbushen pikat e marrëveshjes politike.

Por, partitë në pushtet kërkojnë me çdo kusht mbajtjen e zgjedhjeve dhe çdo shtyrje të tyre e cilësojnë si dështim të tërë marrëveshjes, nga e cila kanë mbetur shumë pika pa u zbatuar, si: pastrimi i listës zgjedhore, raporti i komisionit anketues, reformat në çështjen e medieve, puna e prokurores speciale dhe ndryshimet ligjore në administratë.

Të gjitha këto pozicione pritet të sqarohen nga vizita që pritet të realizojë këtë javë në Shkup komisionari për zgjerim dhe fqinjësi të mirë i Bashkimit Evropian, Johanes Hahn, për të inspektuar zbatimin e marrëveshjes.

Në këtë kuadër vjen edhe vizita e ditës së hënë e disa euro-parlamentarëve, në takimet me drejtuesit e institucioneve dhe të partive politike.

“Realisht vizitat bëhen në situatën kur kemi bllokim të marrëveshjes, aq më shumë kur kemi deklarata kontradiktore të kryeministrit, i cili publikisht deklaron se do të tërhiqet, kurse më pas e kushtëzon tërheqjen e tij".

"Mendoj se këto dy gjëra janë të ndara. Shtyrja eventuale e zgjedhjeve nënkupton se nuk janë pjekur kushtet që janë pjesë e marrëveshjes politike, kurse mos tërheqja e tij është element shtesë i shkeljes së kësaj marrëveshjeje“, thotë Mersel Bilalli, njohës i çështjeve politike.

Ndërkohë, Nikolla Dujoski, njohës i sistemit politik në Maqedoni, thotë se shtyrja e zgjedhjeve nuk mund të bëhet pa pëlqimin e përfaqësuesve ndërkombëtar, të cilët janë edhe garantues të marrëveshjes politike.

“Çdo shtyrje e zgjedhjeve apo vendosje e afateve të reja për mbajtjen e tyre, ashtu siç është përcaktuar me marrëveshjen politike, nuk mund të bëhet pa pëlqimin apo ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare, pasi ajo është garantuese e asaj për të cilën janë marrë vesh partitë politike. Prandaj, vlerësoj se vizitat e tyre janë shumë të rëndësishme dhe vendimtare në procesin e zgjidhjes së krizës politike“.

“ Liderët tanë kanë dëshmuar se nuk mund të zgjidhin as edhe një çështje pa ndërmjetësimin nga jashtë. Ndihma e tyre është vendimtare që të realizojmë zgjedhje të lira dhe demokratike. Besoj se deri në fund të javës gjërat do të jenë të qarta sa i përket këtij procesi shumë të rëndësishëm për të ardhmen e vendit“, thotë Nikolla Dujoski njohës i sistemit politik.

Sipas tij, nuk është me rëndësi nëse zgjedhjet do të mbahen në afatin e paraparë apo disa muaj më shumë. Shumë më e rëndësishme, thotë Dujoski, është që procesi të jetë i lirë dhe demokratik, ndërsa rezultati të jetë i pranuar nga të gjitha partitë.

“Në këtë kuadër vlerësoj se është edhe vizita e euro-parlamentarëve për të testuar nëse janë përmbushur kushtet për zgjedhje të lira. Ata veprojnë në mënyrë të koordinuar me komisionarit Hahn apo strukturat tjera të Komisionit Evropian. Ata janë të vetëdijshëm se ajo që po ndodhë në Maqedoni nuk mund të zgjidhet pa mbështetjen e tyre“, thotë Dujoski.

Procesin e zgjedhjes së qeverisë së re dhe caktimin përfundimtar të datës për mbajtjen e zgjedhjeve e kanë ndërlikuar në veçanti akuzat mes partive për atë që njihet si aferë e përgjimeve dhe skandalet që kanë dalë nga bisedat e përgjuara telefonike të zyrtarëve, siç janë, letërnjoftimet e zbuluara false, të cilat opozita pretendon se janë përdorur për falsifikimin e zgjedhjeve.

Veç kësaj, partitë janë ballafaquar edhe për punën e komisionit anketues për përgjimet, si dhe punën e prokurores speciale, e cila edhe disa muaj pas zgjedhjes, nuk ka nisur punën, për shkak të pengesave të shumta në hetimin e kryeministrit aktual, Nikolla Gruevski, dhe të zyrtarëve të tjetër të dyshuar për përfshirje në veprimtari të paligjshme.

Marrëveshja ndërmjet partive politike në Maqedoni u arrit në korrik të vitit 2015, pas ndërmjetësimin të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kjo marrëveshje erdhi pas muajsh të trazirave politike, ku kreu i opozitës, Zoran Zaev pretendonte se qeveria e Gruevskit kishte përgjuar ilegalisht 20.000 persona, duke përfshirë policinë, gjyqtarët, udhëheqës fetarë, gazetarë dhe diplomatë të huaj.

Marrëveshja përfshinë edhe dorëheqjen e kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski, deri në mesin e janarit të vitit 2016, ndërsa zgjedhjet e parakohshme parlamentare parashihet të mbahen më 24 prill 2016.

XS
SM
MD
LG