Ndërlidhjet

Erdogan: Sulmuesi vetëvrasës në Stamboll, me origjinë siriane


Shpërthim në qendër të Stambollit
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:37 0:00

Shpërthim në qendër të Stambollit

Së paku 10 persona janë vrarë dhe 15 të tjerë janë plagosur si rezultat i shpërthimit në një lagje në qendër të Stambollit, që është e populluar me turistë.

Pamjet televizive nga vendi i ngjarjes i kanë paraqitur disa trupa të shtrirë në tokë. Raportet nga Turqia bëjnë me dije se turistë të huaj, duke përfshirë gjermanë, norvegjezë dhe koreanë të jugut, janë në mesin e të plagosurve nga shpërthimi që ka ngjarë paraditen e së martës.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan e ka dënuar sulmin.

“Unë e dënoj fuqishëm sulmin terrorist në sheshin Sultanahmet të Stambollit, i cili është kryer nga një sulmues vetëvrasës me origjinë siriane”, ka thënë presidenti Erdogan.

“Caku i parë i të gjitha grupeve aktive terroriste në këtë rajon është Turqia, ngase Turqia i lufton të gjithë ata me vendosmëri të njëjtë”, ka shtuar presidenti turk.

Kryeministri i Turqisë, Ahmet Davutoglu, ka thënë se sulmi vetvrasës në Stamboll që ka lënë të vdekur dhjetë persona, shumica nga të cilët gjermanë, është kryer nga një anëtar i grupit militant Shteti Islamik.

Të gjithë të vrarët në sulm, sipas tij, janë të huaj.

“Ne kemi e përcaktuar se autori i sulmit është një i huaj që është anëtar i Daesh (akronim arab për Shtetin Islamik)”, iu ka thënë Davutoglu gazetarëve në kryeqytetin Ankara.

Zëvendëskryeministri i Turqisë, Numan Kurtulmus ka thënë se sulmuesi vetëvrasës është një sirian i lindur në vitin 1988.

Ai ka shtuar se dy nga të plagosurit janë në gjendje të rëndë.

Shpërthimi ka ndodhur pak pas orës 10 të mëngjesit, sipas kohës lokale, në lagjen historike Sultanahmet, pranë Xhamisë së Kaltër.

Zyra e kryeministrit Ahmed Davutoglu, ka ndaluar transmetimin e shpërthimit, duke u thirrur në një ligj i cili lejon masa të tilla kur siguria kombëtare ose rendi publik janë nën kërcënim. Ky veprim, megjithatë, ka shkaktuar kritika.

Agjencia shtetërore e lajmeve të Turqi, Anatolia, ka raportuar se kryeministri i Turqisë, Ahmet Davutoglu e ka informuar gjatë një bisede telefonike kancelaren gjermane, Angela Merkel, se shumica e të vrarëve janë gjermanë.

Merkel e ka pranuar se është e mundshme që qytetarë gjermanë të jenë në mesin e viktimave.

“Seriozisht jemi të shqetësuar për qytetarët gjermanë që mund të jenë në mesin e të vrarëve apo të plagosurve”, ka thënë Merkel në Berlin.

“Sot u godit Stambolli. Parisi është goditur, Tunizia ka qenë e goditur, Ankaraja është goditur më parë. Terrorizmi ndërkombëtar sot edhe njëherë e tregoi fytyrën mizore dhe çnjerëzore që ka”, ka thënë Merkel

Militantët kurdë, majtistë dhe islamistë kanë kryer disa sulme në Turqi në muajt e fundit.

Lagjja Sultanahmet është atraksioni kryesor turistik i Stambollit, që përfshin Pallatin Topkapi, muzeun Hagia Sophia dhe Xhaminë e Kaltër.

Policia e ka mbyllur zonën ndërsa auto-ambulancat kanë nxituar për në vendin e shpërthimit. Një polic në vendin e ngjarjes tha se autoritetet po i marrin masat paraprake ndaj një shpërthimi të dytë të mundshëm.

Sulmi i së martës vjen pak më shumë se një vit që kur një sulmuese femër e shpërtheu eksplozivin vetëvrasës në të njëjtën zonë, duke lënë të vdekur një polic dhe duke plagosur një tjetër.

Një grup i majtë fillimisht kishte pretenduar se qëndron prapa këtij sulmi, por zyrtarët më vonë kanë thënë se sulmuesja vetëvrasëse kishte lidhje me militantët islamistë.

Turqia mbetet në gatishmëri të lartë pas një seri sulmesh, që sipas autoriteteve turke, janë kryer nga grupi militant Shteti Islamik.

Në tetor të vitit të kaluar, si rezultat i dy shpërthimeve vetëvrasëse në kryeqytetin turk, Ankara, patën mbetur të vdekur 103 njerëz. Prokurorët thanë se sulmet ishin kryer nga militantët.

Dhuna ka përshkallëzuar edhe në juglindje të Turqisë pas rënies së marrëveshjes dy-vjeçare të armëpushimit, në muajin korrik. Marrëveshja në mes të qeverisë turke dhe Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PPK) ishte prishur pas një sulmi vetëvrasës që kishte lënë të vdekur së paku 30 persona në qytetin Suruc, në kufi me Sirinë.

Sulmi e kishte cak një qendër kulturore, vend në të cilin një grup politik kurd, po e mbante një konferencë për media në ditën e shpërthimit.

Partia e Punëtorëve të Kurdistanit, e cila për tri dekada lufton për autonomi të kurdëve, i akuzoi forcat turke të sigurisë se kanë bashkëpunuar me grupin militant Shteti Islamik. (s.b)

XS
SM
MD
LG