Ndërlidhjet

Shpëlahen 1.5 milionë euro


Mbi 1.5 milionë euro është vlera e konfiskimit të parave gjatë vitit që lamë pas, për veprat penale, krim të organizuar, prostitucion dhe pastrim të parave, thonë udhëheqës të Njësisë së Intelegjencës Financiare.

Dardan Nuhiu, drejtor i kësaj njësie, madje ka thënë se kjo nuk mund të jetë e vetmja vlerë, por që deri më tani nuk ka ndonjë informacion tjetër zyrtar.

Në një përgjigje përmes postës elektronike, për Radion Evropa e Lirë, Dardan Nuhiu ka thënë se dukuria e pastrimit të parave është e pranishme në Kosovë, mirëpo shkalla e prezencës së saj nuk është e matshme për shkak të natyrës së kësaj vepre penale.

Por, përfaqësues të shoqërisë civile konsiderojnë se vlera prej 1.5 milionë euro, është vlera minimale e konfiskimit të parave nga aktivitete e dyshimta në Kosovë.

Artan Demhasaj, nga Organizata për Demokraci, Anti-Korrupsion dhe Dinjitet “Çohu”, për Radion Evropa e Lirë, thotë se shpëlarja e parasë në Kosovë, fillimisht ka ndodhur me procesin e privatizimit dhe më pas ka dyshime se pastrimi i parave realizohet nga projekte të ndryshme të organizatave joqeveritare dhe organizatave bamirëse që veprojnë në Kosovë.

“Një kohë të gjatë, Agjencia Kosovare e Mirëbesimit dhe tashmë Agjencia Kosovare e Privatizimit kanë qenë “lavatriçe” të parave të pista, që nga jashtë kanë hyrë në Kosovë, kanë privatizuar ndërmarrje dhe tashmë në një mënyrë janë bërë para të ligjshme” thotë ai.

Demhasaj, tregon se nga cilat aktivitete zhvillohet pastrimi i parave në Kosovë.

“Unë konsideroj se kjo ka lidhje me korrupsionin për shkak se në Kosovë ka individë që posedojnë milionat dhe asnjëherë nuk e dimë se nga i kanë fituar këto miliona. Kjo tregon se këto para janë marrë përmes korrupsionit ose shpëlarjes se parave që kanë mundur ti marrin qoftë nga substancat narkotike, prostitucioni, trafikimi me qenie njerëzore ose më armë".

"Këto para që vijnë nga këto vepra penale pastaj në Kosovë paraqiten si para të ligjshme sepse askush nuk kërkon prejardhjen e tyre”, thotë Demhasaj.

Se Kosova është terren i përshtatshëm për shtrirjen e aktivitetit të pastrimit të parave, thonë edhe ekspertë për çështje ekonomike.

Profesori i Ekonomisë Musa Limani, për Radion Evropa e Lirë ka thënë se paratë e fituara me aktivitete të dyshimta po legalizohen përmes investimeve në ndërtimin e objekteve shoqërore dhe ekonomike.

“Unë mendoj se problemi kryesor qëndron që bankat komerciale që veprojnë në Kosovë nuk kërkojnë burimin e mjeteve ose kapitalit. Prandaj edhe moskontrolli dhe përcjellja e tyre paraqitet interes shumë i volitshëm që njerëzit të bëjnë spastrimin e këtyre mjeteve, pikërisht përmes ndërtimit të objekteve ekonomike, shoqërore apo edhe banesore”, ka thënë Limani.

Ndryshe, Njësia e Intelegjencës Financiare ka kryesisht rolin primar në parandalimin e pastrimit të parasë, ndërsa institucionet tjera të sundimit të ligjit si dhe prokuroria dhe gjykata ushtrojnë rol kyç në luftimin e kësaj vepre penale.

XS
SM
MD
LG