Ndërlidhjet

logo-print

Eurodeputetët kërkojnë zbatimin e marrëveshjes në Maqedoni


Maqedoni - Pamje nga konferenca për shtyp e eurodeputetëve Eduard Kukan, Richard Howitt dhe Ivo Vajgl në Shkup, 12Jan2016

Maqedoni - Pamje nga konferenca për shtyp e eurodeputetëve Eduard Kukan, Richard Howitt dhe Ivo Vajgl në Shkup, 12Jan2016

Eurodeputetët Ivo Vajgell, Eduar Kukan dhe Richard Houit kanë theksuar se të gjitha palët duhet të veprojnë pa humbur kohë në arritjen e ujdisë për të përcaktuar metodologjinë e pastrimit të listave zgjedhore, si dhe të ndërmarrin hapa konkretë në drejtim të respektimit të lirisë së medieve.

Këto komente eurodeputetët i dhanë pas takimeve me përfaqësuesit e partive kryesore politike në Maqedoni, si dhe me zyrtarët e lartë të këtij shteti.

Në konferencën e përbashkët për shtyp ata nuk kanë thënë me saktësi nëse duhet të shtyhen zgjedhjet, si rrjedhojë e më shumë vonesave sa i përket pikave të marrëveshjes politike.

Kjo marrëveshje u arrit në qershor dhe korrik të vitit të kaluar, në mes të katër partive kryesore politike në Maqedoni, me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar.

“Partitë politike në Maqedoni arritën të dëshmojnë se mund të gjejnë konsensus, edhe pse ende mes tyre ekzistojnë dallime të mëdha”.

“Sa i përket çështjes së medieve, mund të them se situata në këtë drejtim aspak nuk është e kënaqshme. Nevojitet më shumë transparencë dhe më shumë hapësirë për debat të hapur në media. Çështja e medieve paraqet një mangësi të theksuar sa i përket sistemit demokratik në Maqedoni. Mendoj që koha duhet të shfrytëzohet racionalisht”, ka theksuar eurodeputeti, Ivo Vajgëll.

Ndërkaq, eurodeputeti Eduard Kukan ka treguar se kanë realizuar takime intensive me partitë politike, me sektorin civil, prokuroren speciale dhe anëtarët e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve në Maqedoni, të cilëve u kanë përçuar porosinë e qartë se marrëveshja politike duhet të realizohet në përpikëri, nëse politikbërësit në Maqedoni janë të interesuar për të ardhmen e vendit.

“Pavarësisht se sa i vështirë të jetë procesi, pavarësisht se sa është situata komplekse, në interes të popullit në këtë shtet është realizimi i marrëveshjes politike dhe duhet të shënohet përparim në këtë drejtim”.

“Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë me mbështetjen tonë dhe nëse është e nevojshme të vijmë këtu sërish do ta bëjmë këtë, me qëllim të demonstrimit se Parlamenti Evropian është në anën e së ardhmes pro evropiane dhe pro veriatlantike të Maqedonisë”, ka theksuar eurodeputeti, Eduar Kukan.

Ndërsa sipas eurodeputetit, Richard Houit, respektimi i marrëveshjes në Maqedoni është në interes të perspektivës evropiane të vendit. Ai tha se është e dukshme se ka mungesë të demokracisë në këtë vend dhe se kriza është reflektim i kësaj mungese.

“Marrëveshja e Përzhinos nuk është realizuar. Kjo marrëveshje duhet të respektohet, dhe kryeministri duhet të japë dorëheqje. Ne besojmë në reformat strukturore. Ne inkurajojmë që grupet e punës, në kuadër të marrëveshjes, të angazhohen edhe gjatë zgjedhjeve. Të përkrahet prokurorja speciale dhe roli i saj i rëndësishëm”, është shprehur në takimin me gazetarë, eurodeputeti Richard Houit.

Eurodeputetët kanë theksuar se duhet të shfrytëzohet maksimalisht vizita në Shkup e komisionarit për zgjerim, Johanes Han, që pritet të realizohet të premten.

XS
SM
MD
LG