Ndërlidhjet

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës kryhen operacione të ndryshme, përfshirë edhe ato më specifiket, siç janë tumoret në tru, operacionet në zemër të hapur apo edhe operacioni i kryer për herë të parë i aneurizmës së arteries së shpretkës dhe cistës enorme në veshkë.

Profesionistë shëndetësorë thonë se pavarësisht faktit që Qendra Klinike Universitare e Kosovës nuk i plotëson kushtet e nevojshme teknike, pjesë nga stafi i saj profesional, të trajnuar jashtë vendit, kanë bërë që përvojat e tyre t’i sjellin në Kosovë dhe operacionet me komplikime të kryhen në vend.

Ndër operacionet që nuk mund të kryhen ende në QKUK janë ato me leukemi akute.

Lulzim Vokrri, specialist i kirurgjisë vaskulare, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se mjekimi intensiv mbetet sfidë për Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, meqë pas operacioneve të rënda pacientët duhet të marrin trajtim të tillë.

“Kushtet profesionale për kryerjen e operacioneve specifike ekzistojnë, për shkak se ka staf profesional . Kushtet teknike janë deri diku, por jo si në salla operacionesh në Evropë. Por, puna po kryhet dhe ne po ia dalim”.

“Për operacionet e mëdha, sikur ky i fundit që e kemi kryer, i aneurizmës së arteries së shpretkës dhe cistës enorme në veshkë, kërkohet që pas operacionit të bëhet zhvendosja e pacientit në mjekim intensiv,dhe në këtë vend shpeshherë nuk ka shtretër të lirë, pasi që atë e shfrytëzon e gjithë Kosova. Aty janë gjithsej 12 shtretër dhe është shumë pak”, ka thënë Vokrri.

Ndërkaq Shpend Fazliu, zyrtar për informim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka thënë se përvojat që mjekët i kanë fituar nga edukimi i vazhduar profesional i kanë zbatuar në punë, duke kursyer kështu buxhetin e pacientit, si dhe buxhetin e Ministrisë së Shëndetësisë për trajtim jashtë vendit.

“Kemi pasur një seri të operacioneve më specifike dhe besoj që do të vazhdohet të kryhen operime të tilla. Por, kemi mungesë të aparaturave diagnostike. Duhet përmendur faktin se qëndrojmë keq me sëmundjet e leukemisë akute; sëmundje këto që duhet trajtuar jashtë vendit”.

“Duhet theksuar gjithashtu se operacionet kardiokirurgjike po ofrohen me sukses në QKUK,e po ashtu edhe gama e shërbimeve onkologjike dhe radiologjike. Risitë e fundit kanë kompletuar në masë të madhe shërbimet brenda Qendrës Klinike”, ka thënë Fazliu.

Sidoqoftë, Qendra Klinike Universitare e Kosovës, në lëmi të caktuara ka mungesë të ekspertëve shëndetësorë. Por, marrëveshjet me qendrat klinike botërore për të sjellë ekspertë shëndetësorë të huaj në Kosovë, ka rezultuar që nga përvojat që shkëmbehen të përfitojnë si pacientët, po ashtu edhe mjekët.

Bashkëpunimet me kardiokirurgë të ndryshëm kanë qenë më të shpeshta për shkak të deficitit të kardiokirurgëve brenda QKUK-së.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG