Ndërlidhjet

logo-print

Mbi 100 vende të krimit të dhunës seksuale


Ilustrim

Ilustrim

Rreth 100 vende të krimit të dhunës seksuale që kanë ndodhur gjatë periudhës së luftës, janë identifikuar nga Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Kosovë.

Në këtë institut thonë se projekti për identifikim e lokacioneve ku forcat serbe kanë kryer krime me elemente të dhunës seksuale është duke vazhduar.

Ilir Ulaj, bashkëpunëtor i këtij instituti, tha për Radion Evropa e Lirë se në bashkëpunim edhe me organizatat e ndryshme joqeveritare po punohet në ketë drejtim.

“Në gjithë territorin e Republikës së Kosovës janë identifikuar gjithsej 99 lokacione, ku forcat serbe kanë kryer krime me elemente të dhunës seksuale. Kurse, gjashtë lokacione të tjera janë në proces të identifikimit".

"Kjo punë deri tash është arritur falë bashkëpunimit të ndryshme, veprimtarë të organizatave të ndryshme që janë marrë me ketë lloj krimi, po ashtu edhe nga publikimet e ndryshme”, tha Ulaj.

Identifikimi i lokacioneve në nivel vendi ku janë kryer dhunime seksuale gjatë luftës, vende dhe dëshmitë e masakrave dhe çështja e të zhdukurve, janë disa nga projektet në të cilat merret Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Kosovë.

Ulaj tha se punët në gjetjen e vendeve ku kanë ndodhur dhunime seksuale janë të vështira.

“Një ndër krimet me të rënda është krimi me elemente të dhunës seksuale sepse ky lloj krimi nuk e ka goditur vetëm viktimën, por e ka goditur familjen dhe shoqërinë rreth viktimave”, tha Ulaj.

Feride Rushiti nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, konsideron se Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Kosovë veç identifikimit të lokacioneve ku kanë ndodhur dhunimet seksuale gjatë luftës në Kosovë duhet të dal më shpejtë me të dhëna konkrete apo publikim.

“Shpresoj shumë që do të dalin me një hulumtim i cili do të jetë i bazuar në fakte dhe evidencë të mirëfilltë ku do të dalin në pah zonat rurale ku ka pasur me shumë raste ku popullata civile është targetuar nga dhuna seksuale gjatë luftës”, tha Rushiti për Radion Evropa e Lirë.

Zonja Rushiti thekson se grupi i më i ndjeshëm shoqëror [të dhunuarit seksualisht gjatë luftës], krahas përjetimeve të rënda që kanë pasur deri më tash, nuk kanë pasur asnjë përkrahje nga institucionet.

“Përtej përvojës së hidhur traumatike që kanë përjetuar gjatë luftës shumica e këtyre viktimave apo të mbijetuarave, më mirë t’i quajmë janë traumatizuar në mënyrë dytësore dhe nga vet opinioni, familja, apo shoqëria e në farë mënyre edhe nga vet institucionet për faktin që edhe sot 16 vjet pas luftës ato nuk kanë ndonjë përkrahje direkte”, tha Rushiti.

Zonja Rushiti tha po ashtu se gjendja socio-ekonomike e viktimave të dhunës seksuale të luftës është e vështirë.

“Situata e tyre që nga viti 1999 e deri më tani është shumë e rëndë, për disa edhe e mjerueshme për faktin që nuk arrin t’i mbulojnë as shpenzimet shëndetësore dhe pasojat me të cilat ballafaqohen e le më të flasim për zhvillim ekonomik apo integrim shoqëror siç janë edhe kategoritë e tjera të dala nga lufta”, tha Rushiti.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Viktimave të Dhunës Seksuale të Luftës, Viktimave Civile dhe Familjarëve të tyre, me të cilin ligj ligjërisht njihet edhe statusi i viktimave të dhunës seksuale gjatë Luftës në Kosovë.

Qeveria e Kosovës në fund të vitit të kaluar ka miratuar Projekt-rregulloren për përcaktimin e procedurave për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG