Ndërlidhjet

Zyrtarja serbe Rogozinit: Kujdesu për vendin tënd


Zëvendëskryeministrja e Serbisë, Zorana Mihajlloviq.

Zëvendëskryeministrja e Serbisë, Zorana Mihajlloviq.

Zëvendëskryeministrja e Serbisë, Zorana Mihajlloviq, ka kritikuar të mërkurën homologun e saj rus, Dmitry Rogozin, i cili ka thënë se Serbia duhet të jetë e kujdesshme ndaj ofertës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Rogozin, gjatë vizitës në Serbi këtë javë, ka thënë se nëse Serbia harmonizon politikën e saj të jashtme ne Bashkimin Evropian, “ju do të keni një tjetër Këln këtu”.

Rogozin u është referuar sulmeve ndaj grave në qytetin gjerman, natën e Vitit të Ri, për të cilat janë fajësuar migrantët dhe azilkërkuesit.

“Duhet të jeni të kujdesshëm me këtë harmonizim, që të mos gjendeni në një situatë, në të cilën të ardhurit e rinj mendojnë se i kanë duart e lira, ndërsa gratë e juaja druajnë të dalin jashtë”, ka thënë Rogozin.

Zëvendëskryeministrja serbe, Zorana Mihajlloviq, është përgjigjur të mërkurën:

“Sa i përket skenarit që ka parashikuar Rogozini, mendoj se ai duhet të kujdeset për vendin e tij, ndërsa ne do të kujdesesmi për vendin tonë”.

Gjatë vizitës treditore në Serbi, Rogozin ka thënë se Rusia është gati të armatosë Serbinë me armë të sofistikuara.

Ai po ashtu ka bërë përpjekje të dekurajojë Serbinë nga anëtarësimi në BE.

“Nuk ka asgjë më të tmerrshme se burokracia evropiane. Burokratët e epokës sovjetike janë fëmijë krahasuar me ata të Evropës. Dhe, rregullat e lojës janë të tilla që dëmtojnë identitetin tuaj kombëtar”, ka thënë Rogozin.

Serbia, aleate tradicionale e Rusisë, ka kërkuar zyrtarisht anëtarësimin në BE, por njëkohësisht lufton për të kapërcyer kundërshtimet e forta nga nacionalistët që mbështet Kremlini.

XS
SM
MD
LG