Ndërlidhjet

SHBA synon rimarrjen e qendrave të IS-it në Irak dhe Siri


Ilustrim
Ilustrim

Pas ndihmës që i dha Irakut muajin e kaluar në rimarrjen e kontrollit në qytetin e Ramadit, kryeqytetit të provincës perëndimore Anbar, ushtria amerikane tani ka në plan që t’u ofrojë ndihmë forcave irakiane dhe ushtarëve kurdë, Peshmerga, që të rimarrin qytetin verior të Mosulit, i cili është i dyti për nga madhësia në Irak.

Këtë e ka konfirmuar më 13 janar, Ash Carter, sekretari amerikan i Mbrojtjes.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe forcat e koalicionit gjithashtu do t’u japin ndihmë forcave rebele siriane, në përpjekjet e tyre për ta rrëzuar Shtetin Islamik në Ragga (IS, gjithashtu i njohur si ISIL apo ISIS), të cilin grupi ushtarak e ka shpallur si kryeqytet të të ashtuquajturit “kalifat”, shpjegoi Carter gjatë një adresimi para trupave ushtarake amerikane në Fort Campell, në Kentucky të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ragga dhe Mosuli janë “qendrat ushtarake, politike, ekonomike dhe ideologjike të gravitetit” të Shtetit Islamik, tha Carter.

“Për këto arsye, plani i fushatës sonë ka në shënjestër si Mosulin, po ashtu edhe Raggan. Ne do të fillojmë duke e rrënuar kontrollin e ISIL-it nga këto dy qytete, dhe pastaj do të angazhohemi në operacionet e eliminimit nëpër territoret e tjera që mban ISIL-i në Irak dhe Siri”, ka thënë Carter.

Ai tha se do të takohet javën e ardhshme në Paris me liderët e mbrojtjes së vendeve anëtare të koalicionit anti-Shtetit Islamik, nga: Franca, Australia, Gjermania, Italia, Holanda dhe Britania e Madhe, për të fituar përkrahjen e tyre në këtë mision.

“Secila nga këto vende ka një rol të rëndësishëm në kompletimin e shkatërrimit të kësaj organizate të ligë, dhe ne duhet t’i përfshijmë të gjitha kapacitetet që secili mund të ofrojë”, tha Carter.

Gjatë fushatës për të rimarrë Mosulin, Carter përshkroi operacionet që do t’i dërgojnë forcat irakiane nga jugu, ndërsa forcat Peshmerga nga veriu, në mënyrë që t’i rrethojnë dhe t’i largojnë ushtarët e IS-it nga Mosuli.

Por, Carter paralajmëroi se rimarrja e këtij qyteti nuk do të jetë e lehtë dhe e shpejtë. Forca speciale, e përbërë nga rreth 200 ushtarë amerikanë, do të asistojë në rimarrjen e territorit, shpjegoi ai.

Kjo forcë “po përgatitet që të punojë me irakianët për t’u vënë në kërkim të ushtarëve dhe komandantëve të ISIL-it, me qëllimin për t’i vrarë apo kapur ata, kudo që i gjejnë, bashkë me objektivat kryesorë”, ka theksuar sekretari amerikan i Mbrojtjes.

Këto shpjegime të Carterit vijnë një ditë pas adresimit të presidentit amerikan, Barack Obama, i cili ripërsëriti bindjen e tij se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të punojnë me forcat lokale në Irak dhe Siri, për të pasur një sukses më afatgjatë në betejën kundër Shtetit Islamik.

Obama, duke marrë shkas nga kritikat e Republikanëve, paralajmëroi kundër “amerikanizimit” të konflikteve, sepse, sipas tij, kjo gjë do t’i lejonte ekstremistët që ta akuzojnë Perëndimin se i ka pushtuar tokat e shenjta myslimane në Lindjen e Mesme.

“Pretendimet se kjo është Lufta e Tretë Botërore vetëm se shkojnë në favor të tyre (IS-it)”, ka thënë presidenti Obama, duke iu referuar deklaratave të kandidatëve republikanë për president të SHBA-ve.

Sido që të jetë, Obama u zotua edhe një herë se do t’i “gjejë, çrrënjosë dhe shkatërrojë” ata që ai i quajti “vrasës dhe fanatikë”.

“Presidenti Obama është i përkushtuar të bëjë çfarëdo që nevojitet, deri në mposhtjen përfundimtare të ISIL-it”, ka thënë Carter.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes ka mbajtur fjalim para ushtarëve të Divizionit 101 të Airborne. Nga ky divizion, 1800 ushtarë do të vendosen në Irak gjatë muajve të ardhshëm, shumica prej të cilëve do të merren me trajnimin e forcave irakiane dhe luftëtarëve kurdë, Peshmerga.

Përgatiti: Valjeta Kosumi
XS
SM
MD
LG