Ndërlidhjet

Gjyqësori në Maqedoni, larg reformave të kërkuara


Ilustrim
Ilustrim

Gjykata të pavarura dhe profesionale në shërbim të qytetarëve është e pamundur të priten nga qasja që kanë partitë ndaj pushtetit gjyqësor, dhe në përgjithësi ndaj sundimit të ligjit në Maqedoni.

Kështu vlerësojnë ekspertët e çështjeve juridike, duke komentuar kritikat në rritje, jo vetëm nga opinion i brendshëm, por edhe nga ai ndërkombëtar, i cili gjyqësorin e ka vendosur në krye të agjendës së reformave në vend.

Sipas Osman Kadriut, ligjërues i së drejtës kushtetuese në Universitetin Fon të Shkupit, formimi i prokurorisë speciale për hetimin e aferës së përgjimeve është dëshmi e qartë se pushteti gjyqësor e ka humbur besimin e qytetarëve, por edhe të faktorit ndërkombëtar, se është i denjë për të dhënë verdiktin për aferat që kanë dalë nga bisedat e përgjuara telefonike.

“Ne kemi një mori të dobësive në gjyqësor e që kanë të bëjnë me efikasitetin e këtij pushteti, meqë ende nuk mund të flasin se kemi efikasitet të theksuar në punën e gjykatave, pasi lëndët nuk shqyrtohen në afatet e lejuara”.

“ Veç kësaj, shqetësues është fakti se në gjyqësor kemi ende procese të montuara, sidomos në lëminë penalo-juridike. Në gjyqësor lulëzon korrupsioni dhe nuk ka vendime kualitative“, thotë Kadriu.

Ai shton se shkelësit e ligjit dhe të pavarësisë së gjyqësorit duhet të përgjigjen për mosrespektimin e ligjit, por ai është skeptik se kjo do të ndodhë, duke u bazuar në praktikën e deritanishme kur bartësit e funksionit janë amnistuar nga keqpërdorimet e bëra.

“Në reformat e gjyqësorit është e paraparë edhe përgjegjësia, por duke parë se çfarë ndodhë në Maqedoni në drejtim të zbatimit të marrëveshjes politike, unë dyshoj se kjo pikë do të mund të zbërthehet në nivelin e duhur“, thotë Kadriu.

Ngjashëm vlerëson edhe Gordana Buzharovska, profesoreshë e së drejtës penale në Universitetin e Shkupit.

Ajo thotë se janë bërë shumë ndryshime ligjore në drejtim të rritjes së përgjegjësive për kontrollimin dhe ruajtjen e pavarësisë së gjyqësorit, por që në praktikë, jo vetëm që nuk zbatohen, por janë pikërisht institucionet ato që paraqiten si shkelëset më të mëdha të ligjit.

“Ne ndryshuam sistemin e zgjedhjes së gjykatësve, me qëllimin e vetëm që të formojmë një trup të ri të pavarur për kontrollin e punës së gjykatave. Por, periudha e kaluar ka dëshmuar të kundërtën”.

“Ne kemi aq trupa të pavarur saqë asgjë nuk varet prej tyre. Edhe Këshilli Gjyqësor edhe Këshilli i Prokurorëve janë shndërruar në organe në shërbim të qendrave të caktuara, por jo edhe në shërbim të ligjit dhe mbrojtjes së pavarësisë së gjykatave“, thotë Buzharovska.

Ekspertët i quajnë absurde, por edhe komike, pohimet e disa drejtuesve të gjykatave se fajtore për ngecjen në pavarësinë e gjykatave janë edhe mediet, për shkak të presioneve që bëjnë me punën e tyre.

Kërkesat për reforma, në veçanti, janë rritur pas publikimit nga ana e opozitës të bisedave të përgjuara telefonike të zyrtarëve të lartë, në të cilat dëgjohet se si ata përmes formave të ndryshme kanë ndikuar në zgjedhjen e gjykatësve, por edhe në vendimet e tyre, para se gjithash kur bëhet fjalë për procese politike dhe çështje të biznesit.

XS
SM
MD
LG