Ndërlidhjet

logo-print

Pagat, të pamjaftueshme t'i mbulojnë shpenzimet


Ilustrim

Ilustrim

Për të mbijetuar një familje gjashtë anëtarëshe në Kosovë, vetëm për konsum, sipas të dhënave zyrtare, nevojiten 634 euro në muaj.

Nga kjo vlerë i bie që një person në Kosovë, për konsum të shpenzojë 105 euro në muaj, apo të ketë në dispozicion për shpenzime 3.5 euro në ditë.

Bashkim Bellaqa, drejtori i Departamentit të Politikave Sociale në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se shuma më e madhe e kësaj vlerë shpenzohet për ushqim dhe banim.

“Kategoritë kryesore të konsumit janë ushqimi, banimi, alkooli, duhani, transporti dhe veshmbathja, të cilat paraqesin 85 për qind të konsumit të përgjithshëm, kurse shtatë kategoritë e tjera të konsumit përbëjnë 15 për qind të konsumit të përgjithshëm”, ka thënë Bellaqa.

Ai gjithashtu tregon se konsumi vjetor për ekonomitë familjare në Kosovë, sipas statistikave të vitit 2014, është mbi 7600 euro, kurse konsumi për kokë banori rreth 1400 euro.

Burim i rëndësishëm i të ardhurave të ekonomive familjare, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, janë rrogat dhe pagat nga sektori publik.

Vlera prej 634 euro për konsum mujor është e papërballueshme për shumëqytetarë, pasi në Kosovë llogaritet shkallë e lartë e papunësisë dhe e varfërisë, kurse qytetarët që punojnë kanë paga të ulëta.

Selatin Kaçniku, udhëheqës i organizatës joqeveritare “Konsumatori”, edhe pse dyshon në saktësinë e të dhënave zyrtare, thotë se konsumatorët kosovarë ushqehen në dëm të shëndetit të tyre.

“Është shkathtësi e jashtëzakonshme se si një familje gjashtë anëtareshe arrin të ushqehet dhe ta përballojë muajin. Nëse llogaritet fakti se shporta mujore kushton 115 – 125 euro në muaj, dhe që konsumatorëve u nevojiten disa shporta gjatë muajit, atëherë rezulton se ne (qytetarët) ushqehemi në dëm të shëndetit tonë”.

“Me 600 euro në Kosovë mund të mbijetosh, por jo të thuhet se ka mirëqenie sociale”, thotë Kaçaniku.

Edhe qytetarët thonë se çmimet në Kosovë janë shumë të larta, krahasuar me pagat që marrin. Ata madje pohojnë se shporta e konsumatorit në Kosovë është shtrenjtuar që nga muaji shtator, nga hyrja në fuqi e Ligjit të ri mbi Tatimin Mbi Vlerën e shtuar.

Më këtë ligj, për disa artikuj bazë, norma e tatimit mbi vlerën e shtuar është ulur nga 16 në 8 për qind, kurse për produktet të tjera, norma e tatimit është ngritur në 18 për qind.

Valdete Berisha, me profesion juriste, punon në sektorin publik. Ajo thotë se po vërehet rritje e çmimeve në shumë artikuj ushqimorë.

“Pas ndryshimit të normës se tatimit, çmimet për shumë artikuj janë shtrenjtuar. Pothuajse të gjitha produktet e nevojshme për shportën time, kohëve të fundit po i marr më rritje”, thotë Valdetja.

Ndryshe, paga neto mesatare në Kosovë për sektorin publik është 429 euro, derisa, sipas të dhënave të organizatave ekonomike në sektorin privat, paga mesatare është rreth 349 euro.

Sipas të dhënave zyrtare, shkalla e papunësisë në Kosovë është mbi 35 për qind, varfëria e përgjithshme afër 30 për qind, kurse varfëria ekstreme është 10 për qind.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG