Ndërlidhjet

Kultura dhe sporti "mbrojnë" imazhin e Kosovës


Rita Ora - Ambasadore nderi e Kosovës
Rita Ora - Ambasadore nderi e Kosovës

Sukseset e shumë individëve nga Kosova shpesh herë kanë bërë që kosovarët të mburren e të ndihen mirë me këto arritje.

Filmi kosovar "Shok", me regji dhe skenar të Jamie Donoughue, është nominuar për çmimin prestigjioz Oscar, në kategorinë e filmit më të mirë të shkurtër "Live Action Short Film".

Ky është suksesi më i madh që filmi kosovar ka arritur deri më tani në arenën ndërkombëtare, pasi ceremonia e ndarjes së çmimeve Oscar është më prestigjiozja në fushën e filmit në botë.

Artistë me prejardhje nga Kosova shpesh herë kanë triumfuar me paraqitjet e tyre në botë.

Këngëtarja me famë botërore, Rita Ora, vazhdimisht e përmend Kosovën nëpër intervistat e saj, dhe rolin e saj si Ambasadore nderi e Kosovës, e përmbushë në maksimum. Këtë e ka dëshmuar edhe me realizimin e videokilipit të saj “Shine your light” në Prishtinë.

Përveç Rita Orës, një emër tjetër i ri në fushën e muzikës, e që dita ditës po zë vend më shumë në mediet botërore, është Dua Lipa. Së fundmi ajo ka performuar në “BBC Music Sound of 2016”.

Por, fusha e muzikës nuk është e vetmja që ka prodhuar talentë.

Kohëve të fundit, janë sportistët kosovarë ata që me arritjet e tyre i kanë sjellë medalje të arta Kosovës, duke ndikuar në njohjen e shtetit të ri nëpër botë.

Kampionia e botës në xhudo, Majlinda Kelmendi, duke sjellë medalje të arta, ka bërë që çdo kosovar të ndihet mirë e krenar me të. Gjithashtu njëri prej yjeve të futbollit evropian me origjinë nga Kosova, por që mbron ngjyrat e shtetit të Zvicrës, Xherdan Shaqiri, vlerësohen si një prej talenteve më të mëdhenj të kësaj fushe. E të tillë, besohet se ka shumë.

Radio Evropa e Lirë ka realizuar një anketë me qytetarët e Prishtinës, duke i pyetur se a do të duhej që institucionet e vendit ta përkrahin më shumë lëmin e sportit dhe të kulturës.

Ardit Krasniqi, ekonomist me profesion, thotë se nëse krahasohet përfaqësimi i politikës jashtë vendit me kulturën dhe sportin, sigurisht se këto të fundit kanë triumfuar në vazhdimësi.

“Shumë mirë që filmi Shok u nominua për Oscar. Gjithashtu edhe përfaqësimi në shtetet e BE-së nga futbollistët shqiptarë ka bërë që vendi të përfaqësohet shumë mirë, e sidomos kur e krahason me politikën”, thotë Krasniqi.

Andi Maloku, student i fakultetit të Edukimit, thotë se ndonëse njerëzit e Kosovës nuk përkrahen institucionalisht, shumë nga ta jashtë vendit janë treguar të suksesshëm.

“Mendoj se sidomos sporti e përfaqëson Kosovën shumë mirë. Janë treguar të suksesshëm futbollistët shqiptarët jashtë vendit".

"Mendoj se sporti dhe kultura duhet përkrahen nga ana e institucioneve, gjë që u mungon shumë atyre”, ka thënë Maloku.

Mentor Bokshi, student i arkitekturës, ka thënë se sa herë që vendi është përfaqësuar për të mirë, ka qenë nga fusha e kulturës dhe sportit.

“Vetëm me sport po shihen vlerat tona jashtë vendit. Sa për politikë apo lëmi tjera nuk kam koment, nuk mendoj se ia vlen të flasim. E sa i përket përkrahjes institucionale kosovare për njerëzit e suksesshëm, mendoj se pasi po bëhen të suksesshëm po u ofrohet ndihmë”, ka thënë Bokshi.

Sidoqoftë, gjatë vitit 2016, sportistët e Kosovës i presin dy ngjarje të mëdha, Lojërat Olimpike Dimërore, që mbahen prej 12 deri më 22 shkurt në Lillehammer të Norvegjisë, si dhe Lojërat Olimpike Verore, që nisin në muajin gusht, në Rio de Janeiro, në Brazil.

XS
SM
MD
LG