Ndërlidhjet

Mobilizim i lartë i forcave policore në Xhakartë


Mobilizim i forcave speciale policore në Indonezi, një ditë pas sulmeve në Xhakartë
Mobilizim i forcave speciale policore në Indonezi, një ditë pas sulmeve në Xhakartë

Xhakarta ka mobilizuar gjithë forcën e saj policore për të ruajtur kryeqytetin, një ditë pas sulmeve të para të grupit militant Shteti Islamik, në vendin me popullsinë më të madhe myslimane në botë.

Dy civilë kanë vdekur në këto sulme, së bashku me pesë sulmues. Disa dhjetëra të tjerë janë plagosur rëndë, përfshirë disa evropianë.

Policia ka thënë se ka identifikuar katër nga pesë sulmuesit. Dy prej tyre kanë qenë të dënuar më parë për militantizëm.

Forcat e sigurisë, të enjten, kanë luftuar për orë të tëra me militantët në një zonë komerciale të kryeqytetit.

Presidenti i Indonezisë, Joko Widodo, ka vizituar të premten një qendër tregtare, e cila është prekur nga sulmet vdekjeprurëse.

“Kam parë dhe kam biseduar me njerëz në qendër. Çdo gjë duket se i është kthyer normalitetit. Ata kanë qenë të frikësuar dje, por tani çdo gjë është normale, kjo është e rëndësishme”, ka thënë Widodo.

Tre persona janë arrestuar të premten në rajonin Depok, rreth 40 kilometra në jug të Xhakartës. Ka pasur deklarata kundërthënëse nëse treshja është e lidhur me sulmin në Xhakartë, edhe pse policia ka thënë se një flamur i të ashtuquajturit Shtet Islamik është gjetur gjatë bastisjeve në Depok.

Përveç në qendrat tregtare, siguria është rritur edhe në ambasada dhe spitale, ka thënë zëdhënësi i policisë metropolitane të Xhakartës, Mohammad Iqbal.

Disa vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara, nuk i kanë hapur ambasadat e tyre të premten.

Njëri nga sulmuesit që ka vdekur në dhunën e së enjtes, është arrestuar më parë për posedim të municionit gjatë kohës kur presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka vizituar Indonezinë, ka thënë shefi i policisë kombëtare të Indonezisë, Badrodin Haiti.

Agjencia e lajmeve Aamaq, e lidhur me Shtetin Islamik, ka thënë se sulmet në Xhakarta “kanë pasur në shënjestër shtetas të huaj dhe forca të sigurisë, të ngarkuara me mbrojtjen e tyre”.

Një zyrtar amerikan i kundër-terrorizmit i ka thënë Zërit të Amerikës se nuk ka arsye për të vënë në dyshim përgjegjësinë e Shtetit Islamik për sulmet.

Shtetet e Bashkuara kanë dënuar sulmet në “termat më të fuqishëm të mundshëm”. Shtëpia e Bardhë ka thënë se SHBA do të qëndrojë me “partnerin e saj strategjik, Indonezinë, dhe me Qeverinë e Indonezisë, e cila po punon për të sjellë para drejtësisë përgjegjësit e këtij sulmi barbar terrorist”.

Indonezia është goditur nga sulmet e militantëve edhe në të kaluarën, por ka qenë relativisht e suksesshme në frenimin e ekstremizmit islamik brenda vendit.

Dy hotele luksoze në Xhakartë janë sulmuar në korrik të vitit 2009, duke shkaktuar vdekjen e disa shtetasve të huaj. Këto sulme kanë ndodhur gati katër vjet pas bombardimeve të koordinuara vetëvrasëse në ishullin Bali, të cilat kanë lënë të vrarë mbi 20 veta.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG