Ndërlidhjet

Iranit s’i hiqen sanksionet pa verifikimin e ANEB-it


Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se është duke pritur nga ekspertët ndërkombëtarë që të verifikojnë përputhjen e Iranit me marrëveshjen bërthamore, përpara se Uashingtoni të pezullojë sanksionet ekonomike kundër Teheranit.

“Duam të sigurohemi se ata nuk i janë shmangur asgjëje”, ka thënë zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest, në një konferencë për media të premten.

Marrëveshja bërthamore midis Iranit dhe gjashtë fuqive botërore, e arritur në muajin korrik, kërkon nga Republika Islamike që të frenojë aktivitetet e saj bërthamore në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.

Earnest ka insistuar se Irani nuk do të ketë lehtësim sanksionesh derisa Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (ANEB) nuk verifikon në mënyrë të pavarur se Irani ka bërë të gjithë hapat e nevojshëm sipas marrëveshjes.

Ai ka thënë se ka mjaft arsye për të mos i besuar Iranit dhe se roli i ANEB-it në verifikimin e përputhshmërisë nuk është vetëm “teknik”.

“Kur kjo marrëveshje është negociuar, puna e rëndësishme, e pavarur e ANEB-it është konsideruar më shumë se teknike”, ka thënë Earnest.

“Ne do të vazhdojmë të bëjmë presion mbi Iranin”, ka shtuar ai.

Irani së bashku me Britaninë, Kinën, Francën, Rusinë, Shtetet e Bashkuara dhe Gjermaninë kanë arritur marrëveshjen në Vjenë, më 14 korrik.

XS
SM
MD
LG