Ndërlidhjet

Siri: Militantët e IS-it i rrëmbyen qindra vetë


Pamje nga shkatërrimet në Deir al-Zor
Pamje nga shkatërrimet në Deir al-Zor

Pjesëtarët e grupit ekstremist, Shteti Islamik (IS) i kanë rrëmbyer së paku 400 vetë, përfshirë gra dhe fëmijë, pasi ka okupuar territor të ri në pjesën lindore të Sirisë, ka njoftuar sot një grup monitorues.

Observatori sirian për të drejtat e njeriut me seli në Londër,që e monitoron situatën në Siri nëpërmjet rrjetit të gjërë të burimeve lokale, tha se militantët i kanë dërguar njerëzit e rrëmbyer nga fshati i kontrolluar nga qeveria, al-Baghalije, në pjesën veriore të qytetit, Deir al-Zor, pas një sulmi madhor të djeshëm në këtë rajon.

Rami Abdulrahman nga ky observator tha se në mesin e personave të rrëmbyer janë edhe anëtarët e familjeve të luftëtarëve proqeveritarë.

“Kemi frikë se 400 vetë do të ekzekutohen ose skllavërohen nga organizata me pretekst se ata janë lojalë ndaj regjimit”, i tha Abdulrahman agjencisë DPA.

Agjencia shtetërore e lajmeve e Sirisë, SANA, më herët ka raportuar se së paku 300 vetë janë vrarë nga sulmet e militantëve të Shtetit Islamik në Deir al-Zor.

SANA thotë se shumica e të vrarëve nga sulmet e djeshme ishin njerëz të moshuar, gra dhe fëmijë.

Aktivistët opozitarë thonë se shumica e viktimave ishin ushtarë sirianë dhe luftëtarë proqeveritarë dhe familjet e tyre.

Grupi ekstremist, Shteti Islamik, e ka kontrollin ndaj pjesës më të madhe të provincës Deir al-Zor dhe kryeqytetit të saj me po këtë emër.

XS
SM
MD
LG