Ndërlidhjet

logo-print

Kosovë: Autoritetet thonë se rrugët janë të kalueshme


Pamje nga Prishtina

Pamje nga Prishtina

Ministria e infrastrukturës e Kosovës, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se të gjitha rrugët në Kosovë janë të kalueshme.

Rexhë Osmanaj, ushtrues i detyrës së drejtorit të Departamentit për menaxhimin e rrugëve, tha se vështirësi në qarkullim ka në viset malore.

"Rrugët kryesore nuk janë të mbuluara me borë. Në bazë të informatave që i kemi nga menaxherët rajonalë e që janë në terren, me përjashtim të rrugëve malore ku ka më shumë të reshura dhe qarkullimi është më i vështirësuar, rrugët e tjera janë të kalueshme", tha Osmanaj.

Raportohet se problemet me të mëdha në qarkullim janë në rrugën Pejë - Kullë - Rrozhajë dhe në Zhur e Dragash.

Ministria e Infrastrukturës i ka angazhuar 14 kompani për mirëmbajtjen e rrugëve magjistrale.

Sipas Rexhë Osmanajt, të gjitha kompanitë e angazhuara janë në terren dhe bëjnë kujdestari edhe gjatë natës.

Policia e Kosovës u ka bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik, e në veçanti drejtueseve te automjeteve, që të respektojnë shenjat e komunikacionit rrugor dhe t’u përshtaten kushteve atmosferike gjatë ngasjes së automjeteve.

"Policia e Kosovës vazhdon të apeloj te të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë dispozitat ligjore të trafikut, të posedojnë pajisjet e nevojshme dimërore, të ju përshtaten kushteve të rrugës dhe kushteve atmosferike, pasi që këto norma ligjore janë vendosur për mbrojtjen e jetës së tyre dhe pjesëmarrësve tjerë në komunikacion", thuhet në një komunikatë për media nga Policia e Kosovës.

Në raportin e fundit të policisë për 24 orë thuhet se si pasoja e aksidenteve janë lënduar 22 persona nga 79 aksidentet që kanë ndodhur .

XS
SM
MD
LG