Ndërlidhjet

Të rinjtë: Dhuna, veprim i keq për qëllime politike


Protesta e 18 nëntorit në Prishtinë...
Protesta e 18 nëntorit në Prishtinë...

Përdorimi i dhunës, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo jo të drejtpërdrejtë, për realizimin e qëllimeve politike, por edhe faktorët që sjellin deri te situatat, të cilat i krijojnë alibi përdorimit të dhunës për qëllime politike, reflektojnë negativisht te të rinjtë, në përgjithësi, vlerësojnë disa të rinj në Prishtinë.

Në rubrikën e përjavshme për të rinjtë, “VOX”, të Radios Evropa e Lirë, ata shfaqin mendime të ndryshme lidhur me dhunën në Kuvendin e Kosovës, seancat e së cilës janë ndërprerë nga gazi lotsjellës i hedhur nga deputetët opozitarë, si dhe për reagimin organeve të rendit, dhunën në protestat e muajve të fundit, të organizuara nga partitë opozitare në vend, por edhe veprimet e pushtetit përballë gjithë kësaj situate.

Zymer Berisha thotë se studion integrimet evropiane në Kolegjin ISPE. Sipas tij, përdorimi i dhunës për qëllime politike nga kushdo qoftë, është veprim krejtësisht i gabuar, e sidomos ndaj mekanizmave të shtetit.

Unë mendoj që nuk është në rregull të ketë dhunë. Protestat bëhen gjithkund, por duhet të bëhen protesta paqësore. Dhuna është mjet i keq dhe nuk besoj që duhet të sulmohet policia. Policia është një institucion që e ka detyrë që patjetër t’i mbrojë institucionet e Kosovës. E kanë patjetër që të dalin aty përballë dhe nuk mund të quhet dhunë e tepruar prej tyre, përderisa protestuesit i gjuajnë me gurë apo i sulmojnë. Kanë gjuajtur edhe me koktej molotovi dhe ai mund ta mbysë njeriun”, thotë ai.

Ibadete Rexhepi, studente në Fakultetin e Edukimit në Universitetin e Prishtinës, thotë se dhuna nuk është mjet i mirë për zgjidhjen e situatave politike.

Por, sipas saj, për situatat, në të cilat dhuna shihet si mjet legjitim për zgjidhjen e qëllimeve politike, fajtor e konsideron Qeverinë e vendit:

“Përderisa ata (qeveritarët) nuk po bëjnë asgjë për ne, çfarë të bëjmë ne tash? Ndoshta, shumica dalin me qëllimin që të bëhet një protestë e qetë, unë mendoj ashtu. Por, pastaj vlon gjaku, i mendojnë shumë gjëra dhe fillojnë të gjuajnë. Më prek kjo gjendje dhe më së shumti që më dhimbsen, në këtë rast, janë policia. Ata nuk guxojnë prej institucioneve - ata i kanë në dorë- që të lejojnë që të përshkallëzojë situata, e në anën tjetër janë protestuesit. E ndiejnë veten keq”.

Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:05:37 0:00

Saranda Durmishi që ka përfunduar studimet në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, thotë se problemet politike nuk duhet të zgjidhen me dhunë, por nëpërmjet bisedimeve. E gjithë kjo që po ndodh në skenën politike, sipas saj, nuk është porosi e mirë për të rinjtë.

Këtë dhunë, normalisht, nuk e shohim të drejtë që të ndodhë në Kuvendin e Kosovës. Duhet të ndalen të gjitha partitë dhe të gjejnë një gjuhë të përbashkët. Të rinjtë shkojnë në atë rrugë, ashtu siç i shohin paraardhësit”, shprehet Saranda.

Por, ka edhe të rinj që përdorimin e dhunës për realizimin e qëllimeve politike e shohin si mjet që arsyetohet, ndonëse sipas tyre, jo si mjet i mirë.

Leart Juniku, maturant në një shkollë të mesme të Prishtinës, vlerëson se dhuna në politikë i ka anët e saj mjaft negative. Por, sipas tij, nëse ekziston një kauzë e mirë, edhe në vendet evropiane është treguar se për realizimin e saj, është përdorur dhuna.

“E ka një ndikim mjaft negativ (dhuna) te mendimi se si duhet të funksionojë politika në një vend. Por, prapëseprapë, nëse kauza është e drejtë, nuk mund ta cilësojmë dhunën si më kriminale se dy çështje të mëdha për një vend, që mund ta copëtojnë dhe ta dëmtojnë shumë. Nuk është kënaqësi për asnjë të ri e as të vjetër që të shohë këso lloj dhune në politikë. Është zhgënjim i madh dhe po ndikon shumë, si në institucione shkollore dhe në secilin institucion tjetër, kriza politike po e ka ndikimin e vet”, thotë Learti.

Nazmi Llumnica, thotë se ka kryer shkollën e mesme. Ai konsideron se qeveritarët nuk interesohet për të rinjtë dhe fatin e tyre. Kjo, sipas tij, është shkak i frustrimit të mjaft prej të rinjve:

“Dhuna, pak është e arsyeshme e pak nuk është, sepse janë duke e merituar. Çfarë jemi duke bërë na të rinjtë? Të gjithë pa punë jemi. E kryen shkollimin, nuk ke as punë, e asgjë të sigurt. Këtu nuk kemi jetë, përveç nëse dalim jashtë Kosovës”.

Por, disa të rinj, thonë që edhe pa dashur të përfshihen në protesta të dhunshme, efektet e saj i përjetojnë gjatë përplasjeve të protestuesve dhe policisë.

Doruntina, e cila thotë se studion për Banka dhe Financa, i vlerëson si katastrofale përplasjet e protestuesve të dhunshëm dhe policisë.

“Në protesta, duke kaluar rrugën, kam parë në shumë raste djem dhe vajza të reja duke gjuajtur mbi policinë. Katastrofë. Njëjtë edhe policia. Tmerr, si me qenë luftë. Nuk ke vullnet të dalësh, kur i sheh ato gjëra”, thekson Doruntina.

Arbër Gashi, student në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, thotë se në asnjë mënyrë nuk e arsyeton dhunën politike, e sidomos atë të protestuesve kundër policisë. Por, sipas tij edhe policia duhet të jetë e kujdesshme me përdorimin e gazit lotsjellës, në mënyrë që të mos e pësojnë edhe të pafajshmit.

“Kanë qenë duke protestuar. Unë kam qenë me shoqëri në një kafene dhe nuk e kam ditur çfarë po ndodh jashtë. Kur kemi dalë, gaz lotsjellës ka pasur në të gjitha anët. Nuk kishim as kah të iknim ose është dashur të rrimë brenda derisa e gjitha të kalojë. Ka pasur efekte - atë natë, nuk kam mundur të fle mirë”, shprehet Arbëri.

Por, Gëzim Morina, student i Shkencave Kompjuterike, vlerëson se përplasjet në institucione ndërmjet pushtetit dhe opozitës, të cilat, sipas tij, janë katalizatorë të dhunës, duhet të shërbejnë si moment për të reflektuar të gjithë për të ardhmen e shtetit.

“Dhuna nuk është e mirë, nga të dyja palët. Nuk është e mirë, sepse po ndikon keq jo vetëm për të rinjtë, por për gjithë shtetin. Të dyja palët po japin arsye të ndryshme, por janë arsye koti. Duhet të largohet, të hiqen krejt, të dyja palët, edhe njëra edhe tjetra. Kjo është më e mira. Të dalë një lëvizje e re që ndoshta do të mund të sillte ndryshim. Ka mjaft njerëz të mirë që nuk u jepet mundësia të flasin e që besoj se kishin për të gjetur një alternativë më të mirë”, thotë Gëzimi.

XS
SM
MD
LG