Ndërlidhjet

Komunat, duart e lidhura me menaxhimin e pronave


Ilustrim(©Shutterstock)
Ilustrim(©Shutterstock)

Problemi me statusin e pronave në nivelet komunale në Kosovë, është njëri nga problemet më të theksuara që po pengon ardhjen e investitorëve të huaj në komuna të caktuara në vend.

Kështu vlerësojnë përfaqësues të shoqatave ekonomike në Kosovë, pas vizitave që ata i kanë realizuar së bashku me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, në 13 komuna.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikanë në Kosovë, Arian Zeka, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tregon se si rezultat i ligjeve të mangëta të Kosovës, komunat i kanë duart e lidhura, në veçanti në menaxhimin e pronës komunale.

“Ajo çfarë kryetarët e komunave kanë identifikuar si problem parësor janë dy çështje, e para është Ligji për dhënien në shfrytëzim të tokave komunale, i cili është një ligj mjaft burokratik dhe komunave iu merr kohë prej gjashtë muajve minimumi, e deri në disa vjet për të kaluar procedurat e nevojshme për të dhënë një tokë në pronësi komunale në shfrytëzim për një investitor potencial”, tregon Zeka për Radion Evropa e Lirë.

E gjithë kjo, shton Zeka, e varfëron ofertën e komunave për investitorët e jashtëm. Sipas tij, nëse komuna nuk ka një parcelë tokë që mund ta japë në shfrytëzim, atëherë asnjë investitor nuk do të ketë vullnetin që të investojë në atë komunë.

Si problematikë tjetër, Zeka tregon se gati të gjithë kryetarët e komunave e kanë theksuar çështjet e prokurimit publik.

“Kriteri i shpërblimit të tenderëve duke u bazuar në çmimin më të ulët është një problem që ne e kemi evidentuar edhe më herët edhe në nivel qendror dhe kjo është kërkuar që të eliminohet. Duhet gjithsesi të lejohet të gjithë zyrtarët e prokurimit që ofertat për tenderë t’i bëjnë në bazë të kriterit ekonomikisht më të favorshëm, pasi që kjo sjell cilësi edhe në aspekt afatgjatë”, thekson Zeka.

Ai thotë se para nisjes së kësaj iniciative, e cila ka për qëllim përkrahjen e zhvillimit ekonomik lokal dhe përkrahjen e investimeve të huaja, fillimisht kanë anketuar bizneset nëpër ato komuna.

Bizneset, bën të ditur Zeka, kanë evidentuar probleme dhe vonesa në pajisjen e lejeve dhe licencave, po ashtu parregullsi në aktivitetet e prokurimit.

Ndërkohë, si komunë, e cila konsiderohet me ambient më të favorshëm biznesor, sipas Zekës, del të jetë komuna e Vitisë.

Në anën tjetër, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila ka qenë prijëse e këtyre takimeve me kryetarët e komunave, në një komunikatë për media të lëshuar nga kabineti i saj, thuhet të ketë kërkuar që të bëhet një komunikim i mirëfilltë ndërmjet nivelit lokal dhe atij qendror.

“Unë besoj që do ta kemi një pasqyrë më të qartë pas përfundimit të të gjitha takimeve, në të gjitha ato komuna, në të cilat këto oda ekonomike kanë aktivitete dhe kanë përfaqësitë e tyre. Besoj që do të dalim edhe me rekomandime konkrete për përmirësimin e gjendjes dhe do të ketë një tërheqje më të madhe të investimeve në vendin tonë, si dhe do të kemi një gjenerim të vendeve të punës për vitet e ardhshme”, citohet të ketë thënë presidentja Jahjaga.

Takimet e presidentes Jahjaga dhe përfaqësuesve të odave ekonomike të Kosovës, me kryetarët e komunave, do të vazhdojnë edhe gjatë javës së ardhshme.

XS
SM
MD
LG