Ndërlidhjet

Rifillon gjykimi për vrasjen e familjes armene


Shtatë varret e familjes Avetisyan në Gyumri, Armeni
Shtatë varret e familjes Avetisyan në Gyumri, Armeni

Në qytetin veriperëndimor të Armenisë, Gyumri, sot ka rifilluar procesi gjyqësor kundër një ushtari të Rusisë që akuzohet për vrasjen e një familje shtatë anëtarëshe armene.

Gjykimi ndaj Valery Permyakov, 19 vjeçar, po mbahet nga gjyqtarë armenë në bazën ushtarake ruse në Gyumri, vend në të cilin si ushtar ishte i stacionuar edhe Permyakov.

Gjykimi ishte paraparë që të mbahet më 18 dhjetor por për shkaqe teknike i njëjti është shtyrë.

Më 12 janar të vitit të kaluar, gjashtë anëtarë të familjes Avetisyan në Gyumri, janë gjetur të vdekur në shtëpinë e tyre duke përfshirë edhe një vajzë 2 vjeçe.

Një djalë 6 muajsh i cili qe plagosur rëndë, ka vdekur një javë më vonë.

Permyakov, i cili u arrestua pasi ishte arratisur nga baza ushtarake, e ka pranuar vrasjen.

Rasti çoi në protesta masive në Gyumri dhe Jerevan kundër pranisë ushtarake ruse në Armeni. Protestuesit kanë kërkuar që i akuzuari të mos gjykohet nga gjykatësit rusë por nga ata armenë.

Në gusht të vitit të kaluar, Rusia e ka shpallur fajtor Valery Permyakovin, nën akuzat për dezertim. Ai është dënuar me dhjetë vjet burg.

XS
SM
MD
LG