Ndërlidhjet

19 aksidente trafiku gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë


Ilustrim
Ilustrim

Policia e Kosovës njofton se gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë kanë ndodhur 19 aksidente trafiku. Në tri (3) prej këtyre aksidenteve ka pasur persona me lëndime trupore, ndërsa 16 aksidentet e tjera kanë rezultuar vetëm me dëme materiale.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha thotë se për shkak të kushteve atmosferike, Policia i ka marrë të gjitha masat e nevojshme në përforcimin e shërbimeve të policisë në trafik, në të gjitha akset rrugore nëpër Kosovë.

Sipas tij, gjendja është e qetë, e sigurt dhe ka një trend normal të aksidenteve.

Ndërsa, të hënën, në orët e hershme të mëngjesit, në fshatin Siqevë të Klinës, ka ndodhur një aksident, kur një minibus që po bartte disa udhëtarë, në mesin e të cilëve edhe nxënës, ka devijuar nga rruga.

Hoxha njofton se pesë nxënës janë lënduar nga ky aksident, por gjendja e tyre është e qëndrueshme, dhe pas trajtimit të nevojshëm në Emergjencë, ata janë liruar dhe nuk paraqitet ndonjë rrezik për jetën e tyre.

Policia e Kosovës kërkon nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik, e sidomos nga ngasësit e automjeteve, që t’i respektojnë të gjitha shenjat e komunikacionit, si dhe t’u përshtaten kushteve atmosferike gjatë ngasjes së automjeteve.

XS
SM
MD
LG