Ndërlidhjet

Mustafa: Kosova ka përgjegjësi në luftën globale kundër terrorit


Isa Mustafa - Kryeministër i Kosovës
Isa Mustafa - Kryeministër i Kosovës

Aktiviteti për parandalimin e ekstremizmit dhe dhunës që çon në terrorizëm, është një nga prioritetet që Kosova dhe ekzekutivi i vendit duhet ta zhvillojnë së bashku, ka thënë sot kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

Këto deklarata Mustafa i ka bërë në konferencën e donatorëve, lidhur me zbatimin e strategjisë nacionale për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm.

Kryeministri Isa Mustafa ka theksuar se Kosova është vend i vogël, por që e ka përgjegjësinë e vet në luftën globale kundër terrorizmit, pasojat e të cilit janë afatgjate dhe kërkojnë aleancë të përbashkët për të luftuar kundër tyre.

“Strategjia jonë definon disa faza të punës, për të cilat ne duhet të angazhohemi. Duhet të angazhohemi veçmas në parandalimin e ekstremizmit dhe terrorizmit. Ky parandalim kërkon masa të ndryshme edhe në fushën e arsimit, në mënyrë që njerëzit në shkolla të edukohen në formën e tillë që të mos orientohen në mënyrë të dhunshme".

"Kërkon masa edhe në fushën e ekonomisë, në mënyrë që atyre t’iu sigurohet punësimi dhe mirëqenia dhe kjo të mos jetë shkas i bashkimit të tyre me grupet e ndryshme”, ka theksuar Mustafa.

Ai, gjithashtu, ka thënë se kërkohen edhe masat e riedukimit të atyre që kanë qenë në fronte të ndryshme dhe kthehen në Kosovë, për shkak se paraqesin rrezik të veçantë për vendin.

Mustafa ka theksuar se duhet punuar së bashku me të gjithë faktorët relevantë, për të gjetur mënyrën e riintegrimit të tyre në shoqëri.

XS
SM
MD
LG