Ndërlidhjet

Zyrtarët e tenisit i përgënjeshtrojnë pretendimet për kurdisje


Kryesuesi i Asociacionit të Profesionistëve të Tenisit (ATP), Chris Kermode, dhe Njësia e Integritet të Tenisit (Tennis Integrity Unit) i kanë hedhur poshtë raportet e mediave se kurdisja e rezultateve në këtë sport ka kaluar e pakontrolluar.

Në raportet e publikuara në mëngjes të ditës së fillimit të turneut të hapur në Melburn të Australisë (Australian Open), rrjeti BBC dhe BuzzFeed News, thanë se dosjet sekrete kanë zbuluar dëshmi për dyshime të gjëra të kurdisjes në nivel të lartë të tenisit botëror.

Në raport theksohet se dekadën e fundit, 16 vetë – të gjithë të klasifikuar në 50 lojtarët e parë në botë – disa herë i janë referuar njësisë së integritetit.

Raportet thonë se lojtarët, të cilët nuk identifikohen ose për të cilët nuk precizohet se a kanë luajtur individualisht apo në çifte, ishin lejuar t’i vazhdojnë garat.

Në një konferencë për gazetarë sot në Melburn të Australisë, Chirs Kermode, tha se zyrtarët “absolutisht i refuzojnë çfarëdo sugjerimesh se dëshmitë për kurdisje janë fshehur për çfarëdo arsye, ose se nuk janë hetuar”, raporton agjencia AP.

Nigel Willer, shef i Njësisë së Integritetit të Tenisit, tha se “do të ishte joprofesionale nga unë që të komentoj nëse ndonjë lojtar këtu është i monitoruar”.

XS
SM
MD
LG