Ndërlidhjet

Myslimanët në Britani duhet ta mësojnë anglishten


 Kryeministri i Britanisë së Madhe, David Cameron

Kryeministri i Britanisë së Madhe, David Cameron

Gratë myslimane që nuk e mësojnë anglishten deri në një standard të mjaftueshëm mund të dëbohen nga Britania e Madhe, ka thënë të hënën kryeministri britanik, David Cameron.

Ai gjithashtu sugjeroi se aftësitë e dobëta në anglisht mund të ndikojnë që njerëzit të duken “më dyshues” për mesazhet e grupeve si Shteti Islamik, njofton agjencia e lajmeve, AFP.

Komentet e Cameron vijnë në kohën kur konservativët e qendrës së djathtë lëshuan një fond prej 20 milionë funtesh për gratë nga komunitetet e izoluara, si pjesë e përpjekjes për të ndërtuar integrimin në komunitet.

Rregullat e imigrimit veçse i detyrojnë bashkëshortët që të kenë njohuri të gjuhës angleze para se të vijnë në Britani të Madhe, për të jetuar me partnerët e tyre.

Por, Cameron tha se ata persona do të përballen edhe me më shumë teste pasi të vijnë në Britani, për dy vjet e gjysmë, për t’u siguruar se aftësitë e tyre të gjuhës angleze do të përmirësohen.

“Nëse nuk i përmirësoni aftësitë tuaja në gjuhën angleze, atëherë nuk keni garanci se mund të qëndroni në Britani të Madhe”, ka thënë Cameron, duke shtuar se njerëzit që shkojnë për të jetuar në Britani kanë gjithashtu përgjegjësi, njofton AFP.

Qeveria e Cameron vlerëson se 190 mijë gra myslimane jetojnë në Angli. Prej tyre, 22 për qind flasin shumë pak, ose fare, gjuhën angleze.

Vlerësohet se në Angli jetojnë rreth 2.7 milionë myslimanë, nga popullsia e përgjithshme e këtij shteti prej 53 milionë banorëve.

XS
SM
MD
LG