Ndërlidhjet

Kamberi: Zgjedhjet e parakohshme në Serbi – të panevojshme


Shaip Kamberi

Shaip Kamberi

Anëtari i Kuvendit të Serbisë, Shaip Kamberi, nga Partia për Veprim Demokratik (PPD), tha sot se zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi nuk janë të nevojshme, por ka theksuar se partia e tij nuk ka qëndrim lidhur me pjesëmarrjen në këto zgjedhje.

“Mendoj se do të ishte e panevojshme që të thirren zgjedhjet e jaashtëzakonshme parlamentare, pasi ende nuk janë bërë dy vjet nga fillimi i mandatit aktual”, i tha Kamberi agjencisë Beta, dhe ka shtuar se për pjesëmarrje në zgjedhje, “partitë e pakicave marrin pjesë në kushte të njejta sikur partitë e mëdha dhe duhet të tubojnë 10 mijë nënshkrime për mbështetje të listës, që për ne është vështirë”.

Mëtutje, ai ka shpjeguar se kjo në praktikë do të thotë se partia shqiptare që dëshiron të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare, duhet në dy komuna, Bujanovc dhe Preshevë, të tubojë nga 5 mijë nënshkrime, derisa në të njejtën kohë, partitë e mëdha i mbledhin mesatarisht nga 100 nënshkrime nëpër komuna.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare nga partitë shqiptare në jug të Serbisë ka marrë pjesë vetëm Partia për Veprim Demokratik, lider i së cilës është Riza Halimi, pasi partitë e tjera i kanë bojkotuar zgjedhjet, meqë nuk ishte arritur marrëveshje për pjesëmarrje të përbashkët.

Në përbërjen aktuale të Kuvendit të Serbisë janë dy deputetë shqiptarë: Riza Halimi dhe Shaip Kamberi.

XS
SM
MD
LG