Ndërlidhjet

Në Kosovë ka keqpërdorim të të dhënave personale dhe ankesat e qytetarëve për këtë gjë janë të shumta, thonë për Radion Evropa e Lirë zyrtarë të Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale në Kosovë.

Gjatë vitit 2015, në këtë agjenci kanë arritur mbi 100 ankesa, që kanë të bëjnë me mbrojtjen e të dhënave personale dhe shkelje të privatësisë.

Mbikëqyrësi kryesor shtetëror për Mbrojtjen e të Dhënave Personale në Kosovë, Ruzhdi Jashari, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se zhvillimi i hovshëm i teknologjisë informative dhe telekomunikimit e ka bërë më të ndërlikuar procesin e mbrojtjes së të dhënave personale.

“Nuk mund të themi që nuk mund të ketë keqpërdorime, nuk mund të themi që nuk mund të ketë shkelje. Mund të ketë edhe keqpërdorime edhe shkelje me vetë faktin se ka ankesa, ka pyetje nga qytetarët në këtë drejtim”.

“Kjo sfidë nuk është vetëm për Kosovën, por është sfidë për të gjitha shtetet. Përpunimi automatik i të dhënave personale dhe privatësisë dhe çështja e zhvillimit të hovshëm të teknologjisë informative ka bërë që të dhënat personale të kenë mundësi të cenimit të tyre”, ka theksuar Jashari.

Mbrojtja e të dhënave personale në Kosovë është e garantuar me Kushtetutën e vendit. Neni 36 i Kushtetutës garanton privatësi dhe mbrojtje të të dhënave personale, ndërsa neni 3 përcakton në mënyrë eksplicite se fshehtësia e korrespondencës, telefonisë dhe mjeteve të tjera të komunikimit janë të drejta të pacenueshme.

Ato, në raste të caktuara, mund të kufizohen vetëm përkohësisht, dhe atë me vendim të gjykatës, nëse një gjë e tillë është e domosdoshme për vijimin e procedurës penale, apo edhe për të garantuar sigurinë kombëtare të vendit, ashtu siç është e përcaktuar me ligj.

Ruzhdi Jashari thekson se zhvillim i teknologjisë, në njërën anë ka bërë jetën më të lehtë, por në anën tjetër ka ndikuar negativisht në privatësinë e njerëzve.

Jashari tregon se ngritja e vetëdijes së qytetarëve të Kosovës lidhur me të drejtat për mbrojtjen e të dhënave personale dhe privatësisë, ka shënuar ngritje.

“Viti 2015 shënon një vit të progresit sa i përket vetëdijes së qytetarëve për të drejtat e tyre në mbrojtjen e të dhënave personale".

"Ky vit shënon dyfishin e ankesave, pyetjevedhe shqetësimeve që kanë ngritur qytetarët në të gjitha fushat, duke filluar nga aspekti i marketingut të palejueshëm, pastaj në fushën e internetit, në sferat tjera të ligjshmërisë së përpunimit të të dhënave personale, siguria e tyre dhe në të gjitha kategoritë dhe fushat që mbulohen me ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, ka theksuar Jashari.

Në anën tjetër, përfaqësues të shoqërisë civile vlerësojnë se mbrojtja e të dhënave personale në Kosovë është e cenueshme.

Andi Belegu nga Qendra për Trajnime dhe Studime Gjinore tregon për Radion Evropa e Lirë se gjatë hulumtimeve që kanë bërë në komunat e Kosovës, kanë identifikuar raste të shkeljes së të dhënave personale dhe të privatësisë.

“Të rinjtë janë të informuar rreth mundësisë së keqpërdorimit të të dhënave të tyre, por nuk janë të informuar për pasojat që mund të vijnë nga keqpërdorimi i të dhënave të tyre".

"Ne kemi shumë raste, gjatë vizitave që iu kemi bërë shkollave, ku ka pasur raste të keqpërdorimit të të dhënave. Një rast ka qenë në Mitrovicë e veriut, ku një personi i është vjedhur komplet llogaria në facebook, ku është vendosur një emër tjetër, ku më pas e gjithë kjo ka sjellë probleme të mëdha”, thotë Belegu.

Autoritetet e Kosovës, shton Belgu, duhet të bëjnë më shumë në zbatimin e ligjeve që kanë të bëjnë me mbrojtjen e të dhënave personale.

“Mbrojtja e të dhënave personale është një çështje mjaft problematike, pasi që Kosova ende nuk ka një server të vetin të mbrojtjes së të dhënave dhe të komunikimit nëpërmjet internetit në përgjithësi. Prandaj ne kemi evidentuar se në Kosovë ekziston një problem i madh sa i përket mbrojtjes së të dhënave dhe krimeve kompjuterike në përgjithësi”.

“Ne kemi kërkuar nga institucionet kompetente që të zgjidhen këto probleme, por për shkak të problemeve më shumë politike sesa teknike, ka qenë e pamundur të bëhet më shumë në mbrojtjen e të dhënave personale”, ka theksuar Belegu.

Qëllimi kryesor i ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale është përcaktimi i të drejtave, përgjegjësive, parimeve dhe masave lidhur me mbrojtjen e të dhënave personale.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG