Ndërlidhjet

Iran: Shumica e reformistëve refuzohen nga gara për parlament


Ilustrim
Ilustrim

Mediat shtetërore në Iran raportojnë se afro 60% e njerëzve, që kanë konkurruar për të qenë kandidatë në zgjedhjet parlamentare në muajin shkurt, janë refuzuar.

Pjesa më e madhe e të refuzuarve janë reformistë.

Siamak Rah-Peyk, zëdhënës i Komitetit Qendror Mbikëqyrës të Zgjedhjeve në Iran, tha më 18 janar se vetëm 4,700 prej 12 mijë kandidatëve të regjistruar, janë miratuar.

Ky komitet zgjedhor varet nga vendimet e Këshillit Mbikëqyrës të Iranit, që përbëhet nga klerikët dhe juristët konservatorë, për të përcaktuar se cilët kandidatë të regjistruar janë të kualifikuar për pjesëmarrje në garën zgjedhore.

Partitë reformiste po protestojnë kundër këtyre refuzimeve.

Reformisti, Hossein Marashi, tha se 3 mijë kandidatë të regjistruar reformistë në gjithë vendin, janë refuzuar dhe vetëm 30 prej tyre janë lejuar të garojnë për njërin prej 290 vendeve në parlament.

Ai theksoi se në kryeqytetin Teheran, që i zgjedh 30 përfaqësues në parlament, janë lejuar të garojnë vetëm katër reformistë.

Raportet sugjerojnë se disa kandidatë nga kampi konservator, po ashtu, janë diskualifikuar.

Agjencia e lajmeve, Fars, raportoi se 37 ligjvënësve aktualë, përfshirë 25 konservatorë dhe politikanë të linjës së fortë, nuk u është lejaur pjesëmarrja në zgjedhjet e muajit shkurt.

Agjencia gjysmëzyrtare iraniane e lajmeve, ISNA, ka raportuar se zëvendëspresidenti i Iranit për çështje juridike, Elham Aminzadeh, ka thënë se presidenti, Hassan Rohani, do të zhvillojë “negociata” me Këshillin Mbikëqyrës për t’i mbrojtur të drejtat e kandidatëve të refuzuar “në rast se është bërë gabim”.

Zëvendëspresidenti Amizadeh tha se kandidatët e refuzuar kanë afat prej 20 ditësh të paraqesin protestë formale në Këshillin Mbikëqyrës dhe të ankohen kundër diskualifikimit të tyre.

Pritet që Këshilli Mbikëqyrës i Iranit do ta paraqes listën finale të kandidatëve të verifikuar më 4 shkurt.

Zgjedhjet për Parlamentin dhe Asamblenë e Ekspertëve të Iranit mbahen më 26 shkurt.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG