Ndërlidhjet

logo-print

IS-i ka konfirmuar vrasjen e “xhihadistit John”


Xhihadisti John

Xhihadisti John

Në një publikim të ndërlidhur me grupin ekstremist, Shteti Islamik (IS), është konfirmuar vrasja e militantit britanik, i njohur me pseudonimin “xhihadisti John”, i cili ishte paraqitur në disa video ku tregohej vrasja me heqje koke e personave të rrëmbyer.

Grupi i inteligjencës SITE, që i gjurmon aktivitetet terroriste, tha se grupi ekstremist, Shteti Islamik, e ka publikuar një përkujtim për këtë xhihadist, emri i vërtetë i të cilit ishte Mohammed Emwazi, në revistën propaganduese në gjuhën angleze, Dabiq.

Në këtë përkujtim theksohet se Emwazi ishte vrarë në nëntor “derisa vetura ku gjendej ai ishte marrë në shënjestër nga një sulm i aeroplanit pa ekuipazh në qytetin Raka, me ç’rast u shkatërrua makina, ndërsa ai u vra menjëherë”.

Ushtria e Shteteve të Bashkuara në nëntor të vitit të kaluar tha se “ishte e sigurt në mënyrë të arsyeshme” se Emwazi ishte vrarë në një sulm me aeroplan pa ekupiazh.

”Xhihadisti John” ishte paraqitur në videot ku shihej vrasja e disa personave të rrëmbyer, përfshirë gazetarët amerikanë, Steven Sotlof dhe James Foley, punëtorët humanitarë britanikë, David Haines dhe Alan Henning, dhe gazetarin japonez, Kenji Goto.

XS
SM
MD
LG