Ndërlidhjet

AI: Kurdët i kanë shkatërruar shtëpitë e arabëve në Irak


Forcat kurde i kanë shkatërruar mijëra shtëpi në fshatrat dhe qytetet në pjesën veriore të Irakut, në përpjekje të qartë për t’i larguar komunitetet arabe, thuhet në një raport të ri të organizatës, Amnesty International.

“Forcat Peshmerga nga qeveria rajonale kurde dhe milicitë kurde në pjesën veriore të Irakut, i kanë shkatërruar me buldozerë dhe i kanë djegur mijëra shtëpi të komuniteteve, në shenjë të hakmarrjes për mbështetjen e tyre të perceptuar për të ashtuquajturin, Shteti Islamik”, thuhet në raportin e organizatës Amnesty International, me seli në Londër.

Mëtutje, theksohet se shkatërrimet kanë ndodhur pasi forcat kurde i kanë rimarrë territoret nga grupi ekstremist, Shteti Islamik.

Banorët arabë, që janë larguar nga shtëpitë e tyre, po ashtu, nuk janë lejuar të kthehen në hapësirat e rimarra nga forcat kurde, thekson raporti.

Ky grup për të drejtat e njeriut, mëtutje tha se ka mbledhur dëshmi nga më tepër se 100 dëshmitarë dhe viktima të zhvendosjes së dhunshme.

“Zhvendosja e dhunshme e civilëve dhe shkatërrimi i qëllimshëm i shtëpive dhe pasurive pa arsyetim ushtarak, mund të jetë krim lufte”, tha këshilltarja e Amnesty International, Donatella Rovera, e cila ka bërë hetime në terren në pjesën veriore të Irakut.

XS
SM
MD
LG