Ndërlidhjet

Maqedoni: Kërkohet ndërhyrje diplomatike nga jashtë


Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov i dorëzon mandatin Emil Dimitriev për ta formuar qeverinë kalimtare

Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov i dorëzon mandatin Emil Dimitriev për ta formuar qeverinë kalimtare

Në Maqedoni, vendimet e fundit të partive politike në pushtet për shpërndarjen e Kuvendit, zgjedhjen e qeverisë së re dhe mbajtjen me çdo kusht të zgjedhjeve të parakohshme më 24 prill, nuk do ta zgjidhin krizën politike.

Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve politike në Maqedoni, të cilët thonë se këto vendime, përkundrazi, do të përkeqësojnë edhe më shumë gjendjen, me pasoja për stabilitetin e vendit.

Këto vlerësime vijnë pas kthesës së papritur në skenën politike në Maqedoni, dhe vendosmërinë e opozitës për të bojkotuar zgjedhjet, nëse nuk plotësohen kërkesat kryesore të saj nga marrëveshja politike.

Kërkesat kryesore të opozitës në Maqedoni janë: pastrimi i plotë i listës së votuesve dhe rregullimi i punës së medieve, të cilat, sipas opozitës, janë vënë në shërbim të partive në pushtet, përmes formave të ndryshme të presionit.

Mersim Maksuti, ekspert juridik dhe profesor në Universitetin e Tetovës, thotë se kjo gjendje vështirë se mund të kapërcehet pa një ndërhyrje serioze nga jashtë, në veçanti nga SHBA-të, pasi sipas tij, politika evropiane nuk ka dhënë efektin që pritej.

“Pa mëdyshje se këtë nuk duhet shikuar me një optimizëm, pasi fatkeqësisht kemi një situatë krejt të re, një sfidë krejt të papritur dhe vlerësoj se duhet një ndërhyrje tepër e fuqishme e faktorit ndërkombëtar, që të mos lejojë përshkallëzimin e gjendjes”.

“Konsideroj se ndërhyrja nga jashtë duhet të jetë e gjithanshme, pra, jo vetëm nga Bashkimi Evropian, pas,për fat të keq, siç po duket ndërhyrja evropiane po dështon, andaj kërkohet ndërhyrje nga SHBA-të në parandalimin e përshkallëzimit të gjendjes dhe zgjidhjes përfundimtare të krizës politike në vend ”, thotë Maksuti.

Ndërsa Nenad Novkovski, njohës i çështjeve politike dhe ish zyrtar i lartë në qeverinë e mëparshme maqedonase të ish kryeministrit Lubço Georgievski, thotë se ajo që ka ndodhur ditëve të fundit paraqet shkelje flagrante të marrëveshjes politike nga ana e partive në pushtet.

“Ajo çfarë ndodhi të hënën ishte rrënim katastrofal i marrëveshjes politike të Përzhinës,të arritur nga partitë më relevante politike në Maqedoni,me mbështetjen e faktorit ndërkombëtar”.

“ Me vendimet e njëanshme partitë në pushtet kanë shkelur pikat kryesore të marrëveshjes,me të cilat parashihet krijimi i kushteve për zgjedhje të lira dhe demokratike, dhe më pas të vendoset për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare”, thotë Novkovski.

Sipas tij, nëse faktori ndërkombëtar nuk ndërhyn në kapërcimin e gjendjes së krijuar, ajo mund edhe të dalë nga kontrolli, nëse kihen parasysh paralajmërimet e disa zyrtarëve të lartë të opozitës për nisjen e protestave, të ngjashme me ato të marsit të vitit të kaluar.

“Nëse kjo gjendje nuk përmirësohet,konsideroj se vendi do të hyjë në krizë edhe më të thellë. Pres që përshkallëzimi i gjendjes të parandalohet nga garantuesit e bashkësisë ndërkombëtare. Ata duhet t’i marrin masat për të siguruar realizimin e marrëveshjes dhe zgjidhjen e krizës, në të kundërtën, gjendja në vend do të përkeqësohet edhe më shumë”, thotë Novkosvki.

Ndërkohë, lideri i opozitës maqedonase, Zoran Zaev ka thënë se në ditët në vijim opozita do të dalë me qëndrimin e saj mbi gjendjen e krijuar, por duke bërë thirrje për unitet mes partive opozitare, shoqërisë civile dhe të gjithë faktorëve në vend, në siç thotë ai, “rezistencën për shpëtimin e Maqedonisë nga regjimi aktual“.

Vendimet e fundit të shumicës parlamentare në Maqedoni janë komentuar edhe nga shumë përfaqësi diplomatike të huaja në vend.

Ambasada britanike, gjermane dhe ajo holandeze kanë thënë se zbatimi i plotë i marrëveshjes politike mund të arrihet vetëm përmes zgjedhjeve gjithë përfshirëse, të cilat duhet të zhvillohen në atmosferë të lirë dhe demokratike, në përputhje të plotë me standardet e pranuara ndërkombëtare.

XS
SM
MD
LG