Ndërlidhjet

logo-print

PE sot voton rreth MSA-së për Kosovën


Ilustrim

Ilustrim

Parlamenti Evropian në një seancë plenare mbrëmë ka diskutuar rreth Marrëveshjes së Stabilizim Asocijimit në mes të BE-së dhe Kosovës, ndërsa sot do të votoj për dhënien e pëlqimit për hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshje.

Nga debati i zhvilluar mbrëmë është parë qartë se ekziston një mbështetje e fuqishme për të dhënë pëlqimin, prandaj edhe votimi i sotëm duket të jetë vetëm formalitet.

Nënkryetarja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunaçek, e cila është edhe raportuese për Kosovën në këtë institucion të BE-së, ka thënë në hyrje të debatit të mbrëmshëm, se MSA është një akt historik në raportet në mes të Kosovës dhe BE-së, sepse është dokumenti i parë që rregullon raportet kontraktuale në mes të këtyre palëve.

Ajo ka thënë njashtu se duhet shfrytëzuar rastin që përmes kësaj marrëveshje të ndihmohet edhe procesi i liberalizimit të vizave me Kosovën, në mënyrë që kosovarët të mos jenë të vetmit qytetarë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, të cilët nuk gëzojnë lëvizjen pa viza në shtetet e Bashkimit Evropian.

Në debat ka marrë pjesë edhe komisioneri i BE-së për Fqinjësi dhe Negocijata të Zgjerimit, Johannes Hahn.

Ai ka thënë se kjo marrëveshje ka një rëndësi të veqantë, ndërsa ka shprehur bindjen se ajo do t'i ndihmoj zhvillimin ekonomik të Kosovës si dhe tërheqjen e investimeve të huaja, që do të ndihmonte në krijimin e vendeve të reja të punës në Kosovë.

Ai tha se rezultat e MSA-së nuk do të jenë të menjëhershme dhe ftoj autoritetet e Kosovës që të fokusohen në implementimin e saj.

Votimi do të zhvillohet sot dhe pas dhënies së pëlqimit nga ana e Parlamentit Evropian, marrëveshja do të kthehet përsëri në Këshillin e Bashkimit Evropian ku duhet të merret vendimi për përmbylljen e saj.

Më pas, pasi Kosova dhe BE-ja ta njoftojnë edhe formalisht njëra-tjetrën se kanë mbaruar procedurat përkatëse, atëherë pritet hyrja në fuqi e marrëveshjes, që sipas burimeve në BE pritet të ndodhë diku në prill apo në maj të këtij viti.

XS
SM
MD
LG