Ndërlidhjet

Liderët bëjnë homazhe te varri i ish-presidentit Rugova


Presidenti i parë i Kosovës, Ibrahim Rugova
Presidenti i parë i Kosovës, Ibrahim Rugova

Në 10 vjetorin e vdekjes së presidentit Ibrahim Rugova, personalitetet më të larta të jetës politike në Kosovë po bëjnë homazhe tek varri i tij në Prishtinë.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka bërë homazhe duke e çmuar lartë veprën e ish–presidentit Rugova, i cili tashmë ka marrë epitetin e presidentit historik.

Homazhe te varri i Rugovës kanë bërë edhe kryeministri dhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, figurat më të larta të kësaj partie si dhe personalitete udhëheqëse nga partitë tjera në politike.

Edhe nga opozita, homazhe tek varri i Rugovës ka paralajmëruar se do të bëj lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Për të rikujtuar veprën e ish-presidentit Rugova pritet të organizohen disa aktivitete. Lidhja Demokratike e Kosovës, duke filluar nga ora 12:00 organizon akademi përkujtimore, kurse kryeministri, Isa Mustafa merr pjesë në Ekspozitën me fotografi të ish-Presidentit, dr. Ibrahim Rugova, që do të organizohet në Bibliotekën Kombëtare në orën 14:00.

Aktivitetet përmbyllen edhe me një Akademi Përkujtimore që do të organizohet nën patronatin e presidentes Atifete Jahjaga.

Rugova ka ndërruar jetë më 21 janar të vitit 2006 pas një beteje me kancerin në mushkëri. Ai ishte shpallur hero i Kosovës nga ish-presidenti Fatmir Sejdiu.

XS
SM
MD
LG