Ndërlidhjet

SHBA: Ish-ushtari amerikan i liruar nga Irani, arriti në shtëpi


Amir Hekmati flet para reporterëve pasi arriti në aeroportin në Flint të Miçigenit

Ish-ushtari i Marinës së Shteteve të Bashkuara, Amir Hekmati, i liruar nga Irani javën e kaluar, gjatë këmbimit të të burgosurve, ka arritur mbrëmë në Shtetet e Bashkuara, pasi në Iran është mbajtur më tepër se katër vjet, me ç’rast ai ballafaqohej edhe me dënim me vdekje.

“Jam i lumtur që përfundimisht jam në shtëpi”, u tha gazetarëve Hekmati, 32 vjeçar, pasi aeroplani me të cilin ka udhëtuar ateroi në qytetin e tij, Flint në Miçigen.

“Ishte rrugë shumë e gjatë, udhëtim shumë i gjatë dhe për fat të keq, shumë njerëz kanë udhëtuar me mua në këtë rrugë”, tha ai.

Hekmati dhe katër iraniano-amerikanë të tjerë, janë liruar në kuadër të këmbimit të të burgosurve gjatë fundjavës së kaluar.

Lirimin e tyre Irani e ka shpallur më 16 janar, të njejtën ditë kur janë tërhequr sanksionet ndërkombëtare kundër Iranit.

Amir Hekmati ishte arrestuar në gusht të vitit 2011, i akuzur për spiunim. Këto akuza familja e tij i ka hedhur poshtë. Fillimisht, ai ishte dënuar me vdekje.

Më vonë, një gjykatë e apelit e zëvendësoi atë me 10 vjet burg. Raportohet se ai i ishte nënshtruar torturës psikike dhe ishte i izolur në një qeli të burgut.

I pyetur për burgosjen në Iran, Amir Hekmati tha se “nuk ishte mirë”, por ka shpjeguar se stërvitja e tij në ushtri i ka ndihmuar t’i duroj vuajtjet.

XS
SM
MD
LG