Ndërlidhjet

Kosova me nivelin e njëjtë të ndotjes së ajrit në rajon


Ilustrim
Ilustrim

Kosova nuk gjendet në pozitë të mirë sa i përket cilësisë së ajrit, por kjo cilësi nuk është shqetësuese apo e rrezikshme për shëndetin e popullatës, thonë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës.

Ndotja e ajrit paraqet grumbullimin e substancave të rrezikshme në atmosferë, të cilat rrezikojnë jetën e njerëzve dhe të gjallesave të tjera.

Ilir Morina, kryeshef ekzekutiv në Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, agjenci kjo që funksionon në kuadër të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, e pranon se cilësia e ajrit nuk është në nivel të duhur, po megjithatë, thotë ai, kjo cilësi është nën kontroll.

Morina shprehet se për të monitoruar cilësinë e ajrit, agjencia posedon gjithsej 12 stacione monitoruese të sistemit automatik në nivel vendi. Sipas tij, koncentrimi më i lartë është në qytetet, si: Obiliqi, Drenasi, Hani i Elezit, Fusha Kosova dhe Prishtina.

“Ka tejkalime të pluhurit deri në 25 për qind nga vlera e lejuar maksimale, por nuk është për t’u shqetësuar. Kjo është normale për shumë qytete të Ballkanit, por edhe të Evropës”.

“Kemi tejkalime të pluhurave në Prishtinë dhe në të gjitha qytetet, rreth 75 ditë në vit( ka qenë gjatë vitit 2015) kurse e lejuar është 35 ditë, që do të thotë se ka pasur tejkalime, por tejkalimet nuk janë dyfishe”, tregon Morina për Radion Evropa e Lirë.

Sa i përket nivelit të gazrave, Morina thotë se niveli i tyre rritet në muajin janar dhe shkurt, për shkak të shfrytëzimit të lëndëve djegëse për ngrohje.

Për matjen e ndotjes se ajrit, Komuna e Prishtinës në tetor të vitit të kaluar, ka filluar një pilot projekt, ku ka vendosur 6 censorë për matjen e ajrit, në gjashtë lagje të kryeqytetit.

Muhedin Nushi, drejtor i Administratës në Komunën e Prishtinës, për Radion Evropa e Lirë thotë se ka tejkalime të nivelit të normës se ajrit në Prishtinë, nëse krahasohet me standardet evropiane.

“Censorët e vendosur gjatë vitit të kaluar do të monitorohen në gjashtë muajt e ardhshëm, dhe pas kësaj periudhe Komuna do të dalë me raport shumë të saktë rreth ndotjes se ajrit”.

“Atë që tashmë mund ta themi është se ka tejkalime, posaçërisht në tri parametra, me: dyoksid të karbonit, monoksid të karbonit dhe me grimca të pluhurit”, thotë Nushi.

Në anën tjetër, eksperti për çështje të ambientit, Zeqir Veselaj, ka thënë se në disa qytete të Kosovës, edhe pa ndonjë monitorim profesional, vërehet cilësia e ndotur e ajrit. Dhe çdo tejkalim i vlerave normale të ndotjes, sipas tij, është shqetësues.

“Vlerat e shtuara të ndotjes së cilësisë së ajrit në komunën e Obiliqit dhe rajonin e Prishtinës janë të tejkaluara. Në përgjithësi, në shumicën e parametrave, ende jemi larg standardeve që kërkon Bashkimi Evropian. Por, nivelet nuk ndryshojnë shumë nga situata edhe në rajon, sa i përket cilësisë së ajrit”, tha Veselaj .

Monitorimi i cilësisë së ajrit në Kosovë realizohet nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, përmes Institutit Hidrometeorologjik.

Edhe disa operatorë ekonomikë, siç janë Korporata Energjetike e Kosovës dhe Feronikeli, e bëjnë monitorimin e cilësisë së ajrit në mënyrë vetjake.

XS
SM
MD
LG