Ndërlidhjet

Kerry: Bisedimet për Sirinë do të mbahen


Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka shfaqur besimin se bisedimet për paqe në Siri do të mbahen javën e ardhshme.

Kerry i ka bërë këto komente në Riad të Arabisë Saudite, ku planifikon të takojë zyrtarë të grupeve opozitare të Sirisë.

“Jemi të bindur se i dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara, Staffan De Mistura, do t’i mbledhë njerëzit në mënyrë të përshtatshme dhe takimi i parë do të mbahet në Gjenevë”, ka thënë Kerry.

Bisedimet e ndërmjetësuara nga OKB-ja, midis qeverisë dhe opozitës siriane, fillimisht ka qenë e paraparë të nisin të hënën.

Megjithatë, zyrtarët kanë lënë të kuptohet se bisedimet mund të shtyhen për pak kohë, pjesërisht për shkak të mosmarrëveshjeve në lidhje me pjesëmarrësit.

Përpjekjet për bisedime janë komplikuar edhe për shkak të tensionimit të marrëdhënieve midis Arabisë Saudite dhe Iranit, dy superfuqi rajonale që mbështesin palë të kundërta në konfliktin e Sirisë.

Situata mes tyre është përkeqësuar në fillim të këtij muaji, kur Arabia Saudite ka ekzekutuar klerikun e njohur shiit, Nimr al-Nimr, i cili ka nxitur protesta kundër Qeverisë saudite.

Në përgjigje të ekzekutimit, protestuesit në Teheran kanë sulmuar ambasadën saudite, duke bërë që Riadi dhe disa aleatë të tij të reduktojnë ose ndërpresin marrëdhëniet diplomatike me Iranin.

XS
SM
MD
LG